Lajm i mirë: Kina nuk raporton asnjë infektim lokal me koronavirus

Autoritetet kineze raportuan të hënën se nuk është shënuar asnjë rast i ri i infektimit të brendshëm, ndonëse u konfirmuan 39 raste të reja me prejardhje nga shtetet e huaja.

Gjatë raportimit ditor për shifrat e koronavirusit, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë tha: “Në 24 orët e fundit janë shënuar 39 raste të reja të importuara, 47 raste të dyshimta dhe nëntë vdekje. Të gjitha viktimat janë raportuar në provincën Hubei”.

Kjo është dita e pestë me radhë pa raste të reja të infektimeve në qytetin Wuhan, ku ishte raportuar rasti i parë i koronavirusit në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.

Pas raportimit të rasteve të reja të infektimeve, numri i përgjithshëm i personave të prekur nga virusi i ri në Kinë ka shkuar në 81 mijë e 93, ndërsa numri i të vdekurve në 3 mijë e 270 persona.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve të reja nga vendet e jashtme, qeveria vendosi që të gjitha fluturimet ndërkombëtare të zhvillohen vetëm në një nga 12 aeroportet në qytetet e tjera para se të arrijnë në Pekin.