Lajm bombastik nga Turqia: PSG është futur në garë për Vedat Muriqin

Vedat Muriqi është shumë afër për ta kompletuar transferimin tek skuadra italiane Lazio.

Pas negociatave të stërzgjatura më në fund është raportuar se ka një marrëveshje mes Fenerbahces dhe klubit italian.

Lazio ka pranuar të paguajë 18 milionë euro plus dy të tjera në formë bonusesh, derisa Fenerbahce do të marrë edhe 10% të shumës nga transferimi i ardhshëm.

Por gazetari i famshëm turk, Ridvan Dilmen ka zbuluar një prapaskenë tejet interesante.

Finalisti i Ligës së Kampionëve, Paris Saint Germain është futur në garë për transferimin e Vedat Muriqit.

“Unë isha me Vedatin dje dhe ai do të shkojë në Itali në fundjavë”, deklaroi Dilmen duke zbuluar edhe tentativën e PSG-së për të nënshkruar me Muriqin.

“PSG së fundmi është futur në garë dhe ka kërkuar transferimin e tij, ata janë një klub shumë i rëndësishëm”.

“Megjithatë nuk ndodhi asgjë pasi ishte shumë vonë dhe Vedati i kishte dhënë fjalën Lazios”, ka deklaruar Dilmen për televizionin NTV.

Muriqi shkëlqeu në vitin e tij të parë te Fenerbahce, duke shënuar 17 gola e duke dhuruar 17 asistime në 36 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Turqisë.

Përveç Lazios, në garë për yllin e Kosovës kanë qenë edhe shumë skuadra tjera të njohura si Napoli, Roma, Fiorentina, Tottenham Hotspur, Leicester City, Brighton apo Rennes.