Lajçaku thotë se Kosova shkeli marrëveshjet e Brukselit

Shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel e ka konsideruar emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, refuzimin e kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ta vizituar Kosovën javën e kaluar.

Letra i ishte dërguar kryeministrit Avdullah Hoti më 23 nëntor, dy ditë pasi është bërë e ditur se Vuçiqit nuk i është lejuar të vijë në Kosovë, raporton KOHA.

Sipas Lajçakut, mosrespektimi i marrëveshjes së lirisë së lëvizjes e asaj për vizita zyrtare dëmton përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, derisa dërgon “sinjal shumë negativ për besueshmërinë e Kosovës si palë në procesin e dialogut”.

“Siç përcaktohet në Marrëveshjen e lirisë së lëvizjes, individët e secilës palë janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në territorin e tjetrit. Rregullat specifike zbatohen për personat e secilës palë që mbajnë funksione publike, siç përcaktohet në marrëveshjet për vizitat zyrtare. Marrëveshjet për vizitat zyrtare dhe amendamenti i tyre që është një pjesë integrale e kësaj marrëveshjeje sigurojnë trajtimin dhe ekzekutimin e rregullt të vizitave zyrtare. Këto marrëveshje, së bashku me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, kanë rezultuar shumë të dobishme dhe ato përbëjnë një arritje në punën midis jush dhe Beogradit, e cila duhet të ruhet”, thuhet në letrën e Lajçakut.

Por, me kritikën e emisarit të Bashkimit Evropian nuk pajtohet kryeministri Avdullah Hoti. Sipas tij, nuk ka asnjë diskutim se marrëveshjet janë duke u respektuar. Kërkesën e Vuçiqit për vizitë në Kosovë, kreu i Qeverisë e ka cilësuar çështje të ndjeshme.

“Unë kam pranuar letrën nga zoti Lajçak, do t’i përgjigjem dhe në fakt jam në komunikim të rregullt me të, por çdo kërkesë për vizitë duhet të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë së situatës nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë Hoti.

Pak orë pas deklarimit të Hotit, përmes një postimi në Twitter, ka reaguar shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj.

Derisa ka postuar një pjesë të marrëveshjes së përmendur nga Miroslav Lajçak, Haradinaj ka thënë se “liria e lëvizjes, pikësëpari, nënkupton hapjen e menjëhershme të Urës së Ibrit në Mitrovicë”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, të shtunën, më 21 nëntor, ka bërë të ditur se ka refuzuar kërkesën e Vuçiqit për ta vizituar Kosovën, me arsyetimin se ajo është bërë në një kohë të papërshtatshme, duke iu referuar dyshimeve për varrezë masive në Kizhevak të Serbisë.

Por, më e ashpër ndaj Vuçiqit Haradinaj ka qenë këtë të mërkurë, kur përmes rrjeteve sociale tha se do vazhdojnë t’i refuzojnë të gjitha kërkesat e zyrtarëve serbë.

“Nuk ka leje për ju për vizita në Kosovë, përderisa nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë dhe përderisa nuk vihen para drejtësisë ndërkombëtare përgjegjësit e atij gjenocidi”.

Javën e kaluar, presidenti Aleksandar Vuçiq kërkoi leje nga Ministria që ta vizitojë Kosovën së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ish-shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, dhe shefin aktual të kësaj zyre, Petar Petkoviq.