Lajçak premton marrëveshje brenda muajsh: Shkëmbimi i territoreve nuk diskutohet më

Miroslav Lajçak, përfaqësuesi special i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, ka thënë se është optimist për këtë dialog, pasi, sipas tij, dy palët janë të vetëdijshme për rëndësinë e dialogut.

Lajçak gjatë një video/telekonference, të cilën e organizoi universiteti “Johns Hopkins”, tha se Kosova dhe Serbia po demonstrojnë përkushtimin e tyre dhe e kuptojnë se kjo është në interesin e tyre.

“Kur s’kishte dialog – kishte jostabilitet. Tani, kur dy palët bisedojnë, kjo krijon përshtypjen se gjërat janë nën kontroll. Po ashtu, dialogu nuk mund të anashkalohet. Të dy palët duan një të ardhme evropiane dhe e dinë se mënyra e vetme për ta bërë atë është përmes dialogut”, tha Lajçaku, i cili përsëriti pritjen që Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në muajt e ardhshëm, shkruan Zëri i Amerikës në gjuhën serbo-kroate.

I pyetur se a mundet dhe si mund të gjendet një zgjidhje me pritjet e të dy palëve, ku Kosova kërkon njohjen reciproke, e Serbia kërkon se çfarë do të fitojë, Lajçaku tha se për zgjidhjen vendosin tri palë.

“Jam në kontakt të vazhdueshën me të gjithë, përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së sepse edhe ajo këtu ka fjalën e saj. Nuk duam të kemi humbës dhe fitues – sepse duam që të gjithë të jenë fitues”, tha ai gjatë kësaj telekonference.