Lajçak pas takimit me Bislimin e Petkoviqin e pranon që ka mospajtime të mëdha

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit që ka pasur sot me shefat e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ka thënë se pozicionet e palëve në disa çështje mbesin shumë larg.

Lajçak përmes Twitterit ka shkruar se pas dy ditë takimesh ka shumë punë përpara për t’u bërë.

“Sapo përfunduam dy ditë me punë të madhe dhe diskutime intensive me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet në një numër çështjesh urgjente mbesin larg njëra-tjetrës. Shumë punë përpara”, ka shkruar Lajçak.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.

“Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës). Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione”, tha Bislimi.