Lajçak në Beograd: Nuk guxojmë të lejojmë kriza

Emisari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, tha se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” që i ka ndryshuar “planet dhe temat” e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës, më 29 qershor, miratoi vendimin për mundësitë e ri-regjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Qytetarët e Kosovës, me vite, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale, kur hyjnë në territorin e Serbisë.

Beogradi zyrtar reagoi ashpër ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se kryeministri Albin Kurti “po i kërcënon me luftë serbët në Kosovë”.

Lajçak tha për gazetarët në Beograd se “kjo situatë duhet të zgjidhet”.

“Nuk guxojmë të lejojmë që të ndodhë ndonjë krizë”, tha ai.

Në një postim në Twitter, ai shkroi se ka zhvilluar “bisedime të gjata” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mërkurën në Beograd, dhe se ka theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje përmes negociatave.

Përpara se të udhëtonte në Beograd, më 29 qershor, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor, ku ka thënë se është duke punuar për përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak përsëriti të enjten se vizita e tij në rajon ka pasur për qëllim përgatitjet për takimin e radhës të liderëve.

“Unë kam ardhur në rajon për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm të krerëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Tani duhet ta zgjidhim këtë situatë”, tha Lajçak./REL/