Emisari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka thënë se pret që dialogu Kosovë-Serbi të rinisë shpejt pas formimit të Qeverisë së re në Kosovë.

Lajçak ka shtuar se nuk është në rregull të caktohet datë për këtë proces, por se mesazhi i BE-së është i qartë se dialogu duhet të vazhdojë aty ku është ndalur në dhjetor, shkruan Reporteri.

Madje, Lajçak ka thënë se është i gatshëm të zhvillojë vizitë në të dy vendet dhe të takohet me liderët e dyja shtetve.

Nuk mendoj se është e mençur të “caktohet” data. Por mesazhi im dhe mesazhi i BE-së është i qartë: Ne jemi gati të vazhdojmë dialogun aty ku e kemi ndalur në dhjetor sapo qeveria e re të marrë detyrën. Unë jam gjithashtu i gatshëm të udhëtoj në këtë rajon dhe të takohem me negociatorët e mi sa më shpejt që kushtet të na mundësojnë. BE-ja ka deklaruar qartë se nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut në rrugën evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, vazhdimi i këtij dialogu pa vonesa të panevojshme është në interesin e të gjithëve”, ka thënë Lajçak për të përditshmen serbe Danas.

Ndërkohë, kreu i VV-së, Albin Kurti, partia e së cilit doli e para në zgjedhjet e 14 shkurtit ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritetet e para të Qeverisë së tij.