Lajçak javën e ardhshme fillon vrullshëm misionin e tij si negociator

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet që në fillim të javës së ardhshme të vizitojë Prishtinën.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Prishtinë, që prej se mori postin e emisarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë se dy muaj më parë. Këtë lajm, për Radion Evropa e Lirë, e konfirmuan burimet diplomatike në Bruksel.

Nga zyra e Lajçakut ende nuk janë përgjigjur nëse ai do ta vizitojë edhe Beogradin apo do të qëndrojë vetëm në Prishtinë.

Për shkak të vështirësive të udhëtimit, si pasojë e masave të vendosura kundër pandemisë së koronavirusit, Lajçak pritet që për në Kosovë të vijë përmes Shqipërisë. Ai pritet të qëndrojë në Prishtinë për disa ditë.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Lajçak, në Prishtinë pritet të ketë një zyre me tre këshilltar. Ndërkaq, në Beograd, ekipi i tij pritet të përbëhet nga pesë këshilltar. Ai për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, po ashtu në Bruksel ka një ekip prej shtatë anëtarësh.

Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçak pritet të takohet me liderët politikë, me të cilët do të diskutojë për përgatitjet rreth rifillimit të dialogut.

Por, ende nuk dihet nëse ai do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili në disa raste ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në dialogun e ndërmjetësuar nga Lajçak, pasi diplomati që vjen nga Sllovakia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Në këtë moment nuk mund të komentojmë lidhur me asnjë takim që Lajçak mund të ketë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Lajçakut në Bruksel.

As nga Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, siç mëson Radio Evropa e Lirë, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket gatishmërisë së presidentit të Kosovës, për ta takuar zotin Lajçak.

Presidenti Thaçi në disa raste ka qëndrimet e Lajçakut kundër pavarësisë së Kosovës, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Thaçi madje ka përmendur edhe votimin e Lajçakut kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL.

Burimet në Bruksel, po ashtu kanë konfirmuar se nuk ka pasur komunikim formal mes presidentit Thaçi dhe përfaqësuesit të posaçëm, Lajçak.

Takimi i fundit ndërmjet Thaçit dhe Lajçakut ka qenë gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, para se Lajçak të emërohej përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi. Burimet diplomatike thonë se tentimet për të zhvilluar një bisedë telefonike ndërmjet Thaçit dhe Lajçakut kanë dështuar, duke potencuar se Thaçi ka dërguar porosi se “është i zënë me luftën kundër pandemisë së koronavirusit”.

Burimet diplomatike në BE megjithatë shpresojnë se Thaçi do të bashkëpunojë me Lajçakun apo që Kosova do të emërojë një kryenegociator për dialog, me të cilin Lajçak do të mund të jetë në kontakt të përhershëm për të avancuar planin ambicioz për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim pritet ta kenë Gjermania dhe Franca, të cilat kanë mbështetur punën e zotit Lajçak.