Lajçak e zbulon lokacionin e takimit te ardhshëm Kurti-Vuçiq -Borell

Takimi i 18 marsit në mes Kosovës dhe Serbisë do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Këtë e ka kumtuar vetë emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai është takuar me zëvendëskryeministrin për çështje evropiane të Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, duke e falënderuar që po mundësojnë lokacionin e Ohërit për takimin e radhës.

“Pata një takim të shkëlqyer me Zv. Mariçiq. I jam mirënjohës Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e fortë ndaj Dialogut dhe mezi pres takimin e radhës të Dialogut në Ohër më vonë këtë muaj. Diskutuam gjithashtu çështje thelbësore për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Më 27 shkurt në Bruksel është zhvilluar takimi në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Palët janë pajtuar që të mos ketë më takime për planin franko – gjerman, siç ka njoftuar Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Kështu çështje ka mbetur nënshkrimi i atij plani, megjithëse tema e Asociacionit vazhdon të jetë problematike në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë Forumit Ekonomik në Shkup, kryeministri Kurti ka thënë se “normalizimi më i mirë i marrëdhënieve do të ishte njohja e ndërsjellët”.