Lajçak e kryen pas mesnate takimin me Kurtin, lë të kuptohet se e ka bindur për Asociacionin

Lajcak thotë se në takimin me Kryeministrin Kurti mbrëmjen që kaloi, janë pajtuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. E, një nga këto marrëveshje është edhe formimi i Asociacionit.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, e ka takuar në mbrëmjen e së mërkurës Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Takimin që, kësaj radhe, duket të jetë realizuar në orët e vona në një nga restorantet e vendit, Lajcak e përshkruansi të hapur dhe të qartë.

Përfaqësuesi evropian thotë se me Kurtin u pajtuan që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë në Bruksel, duhet që të zbatohen plotësisht. 

“U ktheva në Kosovë për diskutimet e sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi për hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Po ashtu, u pajtuam që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në Dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar Lajcak.

Në mesin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë, që Kurti e ka refuzuar kategorikisht deri tani është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo është hera e dytë brenda javës që Përfaqësuesi Special i BE-së qëndroi në Prishtinë.