Lahi Brahimaj ka njoftuar se do të rikandidojë për deputet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Përmes një komunikimi drejtuar qytetarëve, ai rikujtoi se në zgjedhjet e 9 shkurtit ishte zgjedhur deputet, por legjislatura nuk ishte funksionalizuar, duke mos i dhënë mundësi të ushtronte mandatin.

Brahimaj tha se vendimi për të kandiduar sërish vjen nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj qytetarëve dhe vendit. Ai theksoi se angazhimi i tij publik buron nga edukimi familjar dhe nga përvoja e gjeneratës që, sipas tij, iu përgjigj thirrjes së atdheut në periudhat më të vështira.

“Angazhimi publik nuk është veç politikë, por vazhdim i një rruge dhe obligim moral ndaj dëshmorëve, veteranëve, invalidëve, familjeve të tyre dhe çdo qytetari që e do Kosovën”, deklaroi ai.

Në njoftim, Brahimaj u ka kërkuar qytetarëve mbështetje dhe besim, duke theksuar se vota e tyre i jep mundësinë të punojë për ta dhe për të ardhmen e vendit.