Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me numër 90, Lahi Brahimaj, ka publikuar një postim emocional kushtuar trashëgimisë familjare dhe figurës së Nënës Azë, dëshmore e kombit dhe simbol i sakrificës së heshtur e qëndresës shqiptare brez pas brezi.
Brahimaj ka bërë të ditur se së bashku me djalin e tij Altinin dhe bashkëluftëtarët Enver Hoti dhe Dardan Krasniqi, kanë vizituar dajtë e Nënës Azë, në truallin ku ka lindur gjyshja Zize Syla. Sipas tij, bëhet fjalë për një familje të persekutuar gjatë regjimit shovinist, e cila u shpërngul me dhunë nga Toplica drejt Kosovës dhe u vendos në Tërpez të Malishevës.
Ai thekson se kjo familje mbart një histori të gjatë lufte, sakrifice dhe qëndrese, ndërsa vizita u shoqërua me mikpritje tradicionale dhe pritje të ngrohtë.
“Gjithë jetën kam me mbajtë kokën lart se jam biri i Nënës Azë,” ka shkruar Brahimaj, duke e cilësuar Nënën Azë si simbol të qëndresës shqiptare.
Në fund të postimit, kandidati i AAK-së ka shprehur mirënjohje për mikpritjen, duke falënderuar Profe, Shefqetin, Agronin dhe familjen Krasniqi nga Tërpeza.







