Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, bashkë me kandidatët për deputetë, si Lahi Brahimaj me numër 90 ka zhvilluar sonte takime me banorët e Rekës së Keqe, si dhe të lagjeve Mulla Jusuf, Çabrat dhe Çarshia e Vjetër.

Përmes një postimi publik, Gjini ka theksuar se këto takime shkojnë përtej një fushate zgjedhore formale, duke i cilësuar ato si një qëndrim të sinqertë pranë qytetarëve që e përkrahin Aleancën dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë për të ardhmen e vendit.

“Kjo është më shumë se një fushatë – është një qëndrim i sinqertë pranë njerëzve që na përkrahin, pranë qytetarëve që besojnë, angazhohen dhe zgjedhin të kontribuojnë për vendin e tyre”, ka shkruar Gjini.

Ai ka theksuar se përmes dialogut dhe besimit të ndërsjellë, së bashku me qytetarët, po ndërtohet një vizion për një të ardhme më të mirë për Kosovën.

“Bashkë, me dialog dhe besim, ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Kosovën tonë”, ka përfunduar Gjini, duke ritheksuar mesazhin e AAK-së në këtë fushatë zgjedhore me sloganin “Aleanca Krah Teje” dhe numrin zgjedhor 129.

Këto takime janë pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme elektorale të AAK-së në Gjakovë, ku fokusi mbetet te komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi i nevojave të komuniteteve lokale.