Lagjja “elitare” në Veternik, pa ujë e pa rrymë

Lagjja “Qëndresa” në Prishtinë, e njohur si “lagje elitare”, përballet me vështirësi të shumta kur vjen puna te shërbimet komunale. Reduktimet e rrymës, ujit, mungesa e ndriçimit dhe prania e qenve endacakë janë disa nga problemet me të cilat përballet kjo lagje.

Mustafë Bajrami, banor në këtë lagje ka treguar për Ballkani.info se ka tre javë që në këtë lagje nuk ka ujë deri në 12 orë gjatë ditës.

“Lagjja Qëndresa është pa ujë prej orës 8 në mëngjes e deri në 7 – 8 të mbrëmjes. Domethënë, 12 orë pa ujë”, tha Bajrami për Ballkani.info.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë njoftim nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, për t’i paralajmëruar për reduktimet e ujit të pijës.

Ballkani.info ka kontaktuar me Kryeshefin ekzekutiv nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu për ata pyetur se cili është arsyeja për këto reduktime.

Abdullahu tha se keqpërdorimet nga ana e banorëve po i shkaktojnë këto reduktime.

“Eshtë vështirësuar nga keqpërdorimet dhe kjo gjendje vazhdon të jetë deri sa të kalohen këto temperatuara. Të gjitha lagjet po i mbajnë kopshtet me ujin e pijes”, tha Abdullahu për Ballkani.info.

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, tha se po punojnë me kapacitete maksimale, dhe u bën apel qytetarëve që ta kursejnë ujin.

“Në momente kur ka pak reshje gjendja po stabilizohet menjëherë, pra faktori njeri po ndikon ne furnizim jo të rregullt. Qytetarët të mos e keqperdorin ujin”, apeloi Abdullahu tek qytetarët.

Por, Bajrami thotë se reduktimet e ujit nuk janë problemi i vetëm i kësaj lagjeje. Ai ankohet edhe për reduktimet e rrymës, mungesën e ndriqimit publik dhe për prezencën e qenëve endacakë në këtë lagje.

“Rryma ndalet shumë shpesh, për mos me thanë çdo ditë. Eshtë diçka më mirë se uji, por prap katastrofë. Ata të KEDS-it as nuk don me dëgjue, si hapin telefonit, tri orë s’të përgjigjen”, tha Bajrami.

Ballkani.info ka kontaktuar KEDS-in për ta kuptuar arsyen e këtyre reduktimeve, dhe ata thanë se furnizimi nga ana e KEDS-it në këtë lagje është në rregull dhe se do të hulumtojnë për të gjetur shkaktarin.

“Furnizimi nga ana e KEDS-it në këtë lagje është në rregull. Ne do të hulumtojmë për të kuptuar se çfarë po ndodhë, sepse mund të jetë një interferim nga palët e treta”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për Ballkani.info.

“Nuk ka as ndriçim publik, qentë janë si në Afrikë, i thonë lagje ‘elitare’”, tha banori i lagjes Qëndresa.

Për këto problem ai thotë se i është drejtuar institucioneve me katër letra të hapura, por nuk ka ndryshuar asgjë.

“Me 4 letra të hapura i jam drejtuar të gjithë liderëve të shtetit se jemi në hall të madh. Gjë s’është bërë”, thekson Bajrami.

Ballkani.info ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, dhe nga kjo komunë thanë se uji dhe rryma janë kompetenca të ujësjellësit dhe KEDS-it.

“Për temën e ujit i drejtohesh ujësjellësit, për energji elektrike KEDS-it”, tha zëdhënësja e kësaj komune, Miranda Mullafazliu për Ballkani.info.

Një banor tjetër i kësaj lagjeje tha se ata paguajnë tatimin më të lartë në Kosovë, pasiqë cilësohet si lagje “elitare”, por se shërbimet komunale nuk janë askund.

“Ne, lagjja jonë, pra ‘Qëndresa’ kemi tatimin më të lartë në Kosovë e shërbimet kërkund hiç, sepse ne paguajmë”, ka thënë ky qyetetar.

Ndërsa sa i përket shumës së tatimeve, të cilat i paguajnë banorët e kësaj lagjeje, Mullafazliu tha se tatimi në pronë paguhet sipas klasifikimit të zonave të banimit. /Donjeta Murselaj – Ballkani.info/

loading…