Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK – Nisma – Konservatorët – E30, sot nisi fushatën e nominimit të kandidatëve për deputetë në komunën e Vitisë. Gjatë prezantimit, ai theksoi synimin e koalicionit për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional për Anëtarësim pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Ky vizion paraqet një arritje historike dhe një kthesë vendimtare për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht dhe ushtarakisht,” deklaroi ish-kryeministri i Kosovës. Haradinaj prezantoi dy kandidatë për deputetë nga Vitia: Labinot Gjini dhe Engjëll Koliqi.

Për Labinot Gjinin, lideri i AAK-së tha: “Ai është një i ri i kthyer nga Perëndimi, i frymëzuar nga dashuria për vendlindjen, njerëzit dhe kombin e tij. Duke lënë pas jetën në mërgim, ai i është përkushtuar plotësisht Vitisë.” Ndërsa për Engjëll Koliqin, Haradinaj theksoi kontributin e tij në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare përmes shkrimeve në formën e eseve, studimeve shkencore dhe librave. Kreu i AAK-së shprehu besimin se Vitia do të përfitonte shumë nga ekspertiza dhe njohuritë e kandidatëve të propozuar.