Deputeti nga radhët e AKR-së, Labinot Tahiri në ditët e para të këtij muaji, kishte dorëzuar pasaportën e tij të Kosovës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si shenjë proteste dhe solidarizimi me qytetarët e Kosovës që nuk mund të lëvizin jashtë Kosovës pa viza.

Këtë premtim, Tahiri e kishte dhënë gjatë vitit 2018 kur ishte votuar Demarkacioni në Kuvendin e Kosovës, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, transmeton Ballkani.info.

Por, liberalizimi i vizave nuk ndodhi as në datat e premtuara nga zyrtarët e lartë shtetror.

Deputeti Tahiri, në një prononcim për Ballkani.info, pati thënë se në rast të mos liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës deri në fund të vitit 2018, ai së bashku me familjen e tij të ngushtë, do të dorëzojë pasaportat e Kosovës dhe pasaportën diplomatike të Shqipërisë.

Por ditë më parë, përmes një njoftimi në Facebook, Tahiri u pa duke dorëzuar pasaportën e Kosovës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por jo edhe atë të Shqipërisë. E kjo ngjalli reagime të shumta edhe nga qytetarët, të cilët e akuzuan për mos mbajtje të premtimit.

Ballkani.info ka tentuar ta kontaktojë Tahirin, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Në replikën ndaj një komentuesu në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se edhe pse nuk e ka dorëzuar pasaportën e Shqipërisë, ai nuk do të lejojë asnjë shtet t’i vendosë vulë në të, pasi që sipas tij, ajo pasaportë është e shenjtë.

Tutje, Tahiri ka thënë se gjatë kësaj kohe, gazetarët do të kenë mundësi të hulumtojnë se a po udhëton jashtë Kosovës ai, ndërsa ka theksuar se do të jetë pjesë e protestës të organizuar nga studentët në Prishtinë për mos liberalizim vizash, që do të mbahet me 10 janar. /Ballkani.info