Ky vend raporton zbulimin e një varianti të tretë të Covid-19

Një tjetër variant i ri i koronavirusit thuhet se është shfaqur në Nigeri, siç bëri të ditur kreu i kontrollit të sëmundjeve në Afrikë, duke paralajmëruar se ka nevojë për më shumë hetime.

Lajmi vjen pasi Britania dhe Afrika e Jugut raportuan variante të reja të virusit SARS-CoV-2 që duket të jenë më ngjitëse, duke çuar në kufizime të reja të udhëtimit dhe trazira në tregje.

“Është një prejardhje e veçantë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Afrika e Jugut”, tha John Nkengasong, drejtori Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) të Afrikës, në një konferencë për shtyp nga Addis Ababa.

Zbulimi i varianteve të reja në Nigeri dhe Afrikën e Jugut nxiti një takim urgjent të CDC të Afrikës këtë javë.

Lajmi vjen ndërsa rastet po rriten si në Nigeri ashtu edhe në Afrikën e Jugut. Në javën e kaluar, Nigeria raportoi një rritje me 52% të rasteve dhe Afrika e Jugut një rritje me 40%, tha Nkengasong.

Ai theksoi se nuk kishte prova që varianti i ri po kontribuonte në rritjen e transmetimit në Nigeri.

“Na jepni pak kohë … është akoma shumë herët”, tha ai, në përgjigje të pyetjeve në lidhje me variantin, duke shtuar se hetuesi kryesor për COVID-19 në Nigeri sapo ka publikuar sekuencat gjenomike të variantit të ri.

Varianti i ri me përhapje më të shpejtë, që Afrika e Jugut zbuloi më 18 dhjetor, është tani mbizotëruesi atje, megjithëse – ashtu si me variantin e ri në Britani – nuk ka asnjë provë që vërteton se ky virus është më i rëndë.