COVID-19

Ky shtet shënon rekord të rasteve ditore me koronavirus

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Indi janë konfirmuar 5,242 raste të reja me Covid-19. Kjo paraqet shifër rekorde në vendin e dytë me popullsinë më të madhe në botë.

Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet njoftoi se numri i përgjithshëm i të infektuarve tashmë ka shkuar në 96,169 persona, ndërsa numri i të vdekurve në 3,029.

Më së shumti raste deri më tani janë raportuar në rajonin Maharashtra, ku ndodhet qyteti i Mumbait. Atje janë shënuar 1,198 viktima dhe 33,053 të infektuar, raporton CNN.

Autoritetet indiane kanë thënë se e kanë shtuar kapacitetin për testimin e popullatës dhe deri më tani janë testuar më shumë se 2.3 milionë persona. Këtë shifër e publikoi Këshilli Indian për Hulumtime Mjekësore.