Ky ministër kosovar thotë se nuk i shpenzon paratë e shtetit: S’kam as kartelë bankare, e përdori veturën time personale

Ministra e zyrtarë shtetërorë të Kosovës për vite janë njohur për shpenzimet e tyre të larta të parasë publike, teksa populli kosovar konsiderohet si më i varfëri në Europë. Mirëpo Ramë Likaj që udhëheqë me MASHT’in, po thotë se nuk i shfrytëzon paratë e shtetit.

Të paktën kështu deklaroi ai sot në Sytë 7, teksa tha se nuk ka as kartelë bankare dhe se e shfrytëzon veturën e tij personale jashtë agjendës.

“Dy vjet kam qenë këshilltar i ish ministrit Arsim Bajrami dhe këshilltar i jashtëm në Qeverinë Haradinaj. Për tre vjet kam bërë zero shpenzime, shërbyer në mënyrë vullnetare”, është shprehur Likaj.

“Edhe sot e kësaj dite shpenzimet i kam pothuajse zero. Nuk kam marrë kartelë bankare. Shpenzimet e kabinetit tim janë minimale. Jashtë agjendës zyrtare e përdori veturën time personale. Nuk shpenzoj për dreka-darka, as për telefon”, shtoi ai tutje.