Ky ishte statusi i fundit i Jakup Krasniqit, para aksionit të EULEX-it në shtëpinë e tij!

Që nga ora 6:00 e mëngjesit të sotëm shtëpia e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të NISMA-së, Jakup Krasniqi është mbushur me pjesëtarë të Policisë së EULEX-it.

Ky aksion i policisë së EULEX-it, sipas një njoftimi të zyrës së prokurorit të dhomave të specializuara (Gjykatës Speciale) po bëhet për të bastisur shtëpinë e tij, raporton ballkani.info

“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftim.

Nga ajo kohë është bllokuar për qarkullim edhe rruga e cila shpien tek adresa e banimit të Krasniqit.

Mediat po raportojnë nga vendi i ngjajres, derisa nuk po lejohen të afrohen tek shtëpia ku po kryhet bastisja.

Por, cili ishte statusi i fundit i Jakup Krasniqit, në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”.

Mbrëmë ai kishte publikuar disa vargje, përmes të cilave kërkonte drejtësi.

Statusi i plotë:

PAK DREJTËSI, O NJERËZI
Pak drejtësi kemi aq më pak njerëzi
Kur lart na udhëheq ndonjë shpirtzi!
Ju përgjërohem thellë o miqtë e mi
Në këtë kohë të rëndë me pandemi!
Janë ca tipa të vegjël po dhe axhaminj
Ama drejtësinë ç’e bëjnë si pazarxhinj
Nuk lënë gjë pa bërë veç për një pronë
Kot i ndalon tani është bërë goxha vonë!
Sikur nata sikur dita për këta matrapazë
Pandemia po vazhdon për ta edhe cazë
Pak drejtësi për vete dhe për timin komb
Po nuk respektove tëndin je veç një snob!
Bletët në koshere të huaja përditë shkojnë
Mendojnë si mjaltin për vete ta grumbullojnë!
Tokën që e punuam në kohë të vështira
Përse e lamë krejt djerrë në kohë të lira?
Dijen e shkencën përse aq pak i duam?
Librat nga bibliotekat a thua ku i çuam?
Sallave të fitnesit të gjithë janë harlisur
Pa mend a thua ç’duhen muskujt e stisur?
Të hesht nuk dua drejtësi vargjeve kërkoj
Të lulëzuar atdheun tim thjesht e dëshiroj!