Shyqiri Bytyqi

Ky fakt i forcon dyshimet: Veseli e injoroi ministrin e Arsimit për marrëveshjen me SBASHK-un

Në zyrën e kryeparlamentarit, Kadri Veseli sot u arrit marrëveshja me sindikalistët e SBASHK-ut që të ndërpritet greva e mësimdhënësve.

I pranishëm aty ishte edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Mirëpo, befasisht aty mungoi ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Burime zyrtare të Ballkani.info thonë se ministri Bytyqi as që ka qenë i informuar se çfarë ka ndodhur sot në zyrën e Veselit.

“Ministri Shyqiri Bytyqi nuk ka pasur fare ftesë për këtë takim. As që ka qenë i informuar. Është befasi dhe rast i pazakontë që në takimin kur flitet për arsim e në këtë rast për grevën e arsimit, që mos të jetë ministri aty”, kanë thënë këto burime.

Në takim, edhe kjo një befasi në vete, ishte deputeti i PDK-së, Nait Hasani, pastaj Besnik Tahiri koordinator Nacional për Reformën Shtetërore, etj.

Dhe pikërisht mungesa e ministrit Bytyqi ka bërë që shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi të reagojë ashpër në adresë të kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, duke thënë se kjo tregon se greva ka qenë organizim partiak. Ai me këtë ka aluduar në PDK-në.

Më i ashpër dhe më i drejtpërdrejt në reagim ka qënë këshilltari i zëvendëskryeministrit dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, Leotrim Berisha. Ai ka thënë se “vendi më i natyrshëm ku do duhej të prezantohej “marrëveshja”, me SBASHK-un, do të ishte në selinë e PDK-së”.

“Sot u dëshmua se kush ishte orekestrues i grevës trijavore. Sigurisht edhe për Rrahman Jasharajn do të ishte ambient i njofshëm për të. Një natë më parë ai paralajmëroi se mësimi mund të humbë krejt vitin, e kur mori urdhër nga nxitësit e grevës njoftoi se po bën kompromis për hir të nxënësve”, ka shkruar Berisha. /Ballkani.info/