Një 17-vjeçar i akuzuar për vrasjen e tre vajzave në një klasë kërcimi me temë Taylor Swift në Southport është identifikuar si Axel Rudakubana.
Ai është me origjinë nga Ruanda, dhe tani ndodhet në paraburgim për të mitur, shkruan Guardian.
Pasi dëgjoi të gjitha argumentet, gjyqtari Andrew Menary KC refuzoi të lëshonte një urdhër për të fshehur identitetin e tij, transmeton Ballkani.info.
Duke shpjeguar vendimin për zbulimin e identitetit të Axel Rudakubanës, gjyqtari tha se në të kundërt do të përhapeshin dezinformata të ndryshme. “Megjithëse e pranoj se kjo është e jashtëzakonshme duke pasur parasysh moshën e tij dhe ai do të mbushë vetëm 18 vjeç për gjashtë ditë, kam vendosur të mos e fsheh identitetin e tij”, tha gjyqtari. “Nëse do të vazhdonim të parandalonim raportimin e plotë, do të lejonim përhapjen e dezinformatave”, tha ai.

Gjatë seancës 55-minutëshe, Axel mbuloi fytyrën me një xhup. Ai nuk ka pranuar të flasë dhe as nuk ka dashur të konfirmojë emrin e tij, shkruan Guardian.
Ai do të paraqitet më pas në Gjykatën e Magjistraturës së Liverpoolit më 25 tetor, me një gjyq të planifikuar të fillojë më 20 janar. “Ju vendoseni në paraburgim për të rinjtë derisa të përfundojë kjo çështje. Kjo mund të ndryshojë kur të rriteni,” tha gjyqtari, gjatë gjithë kohës që Axel e injoroi dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të tij.
Shpërthyen protesta të mëdha
Kujtojmë se dy ditët e fundit protesta të mëdha shpërthyen në Angli për shkak të një sulmi vdekjeprurës me thikë në Southport. Ditën e djeshme në Londër mijëra njerëz, mes tyre shumë mbështetës të krahut të djathtë, u mblodhën pranë rezidencës së kryeministrit në Downing Street. Ata thërrisnin “Shpëtoni fëmijët tanë”, “Duam vendin tonë të kthehet” dhe “Ndaloni varkat”, duke aluduar për problemin me azilkërkuesit. Më shumë se 100 persona u arrestuan.
Policia tha se sulmi nuk ishte i lidhur me terrorin dhe se i dyshuari ka lindur në Britani, duke hedhur poshtë spekulimet për origjinën e tij. Domethënë, pas sulmit, derisa ende nuk kishte asnjë informacion zyrtar, në rrjetet sociale u përhapën pretendime të rreme dhe të paverifikuara.
Në një sërë postimesh dhe komentesh, pretendohej se sulmuesi quhej Ali Al-Shakati, se ai ishte një azilkërkues që erdhi në Britaninë e Madhe me varkë vitin e kaluar, se ishte në listën e shërbimit sekret britanik MI6 dhe se ai kishte një histori të problemeve mendore. Asnjë burim nuk u citua për asnjë nga këto pretendime.
Policia e Merseyside i tha Reuters se emri që u shfaq në mediat sociale ishte i pasaktë dhe se i dyshuari kishte lindur në Cardiff, Uells. “Një 17-vjeçar nga Banks, Lancashire, i lindur në Cardiff, është arrestuar me dyshimin për vrasje dhe tentativë vrasjeje”, thuhet në deklaratë.
“Arrestuam më shumë se 100 persona. Disa policë morën lëndime të lehta”
Në Londër, më shumë se 100 persona u arrestuan gjatë protestës, pas përleshjeve mes demonstruesve dhe policisë. Mbrëmë një grup i madh protestuesish u mblodhën në zonën Murray Street të Hartlepool dhe i vunë flakën një makine policie.
Protestuesit sulmuan oficerët me shishe qelqi dhe vezë, tha policia e Cleveland. Në Mançester, protestuesit u mblodhën jashtë Holiday Inn në Oldham Road. “Ne arrestuam më shumë se 100 persona. Disa oficerë policie morën lëndime të lehta”, njoftoi policia e Londrës.
More than 100 people were arrested in London on Wednesday night as a violent protest broke out in the wake of the Southport attack.
— Sky News (@SkyNews) August 1, 2024
Flares were thrown towards the gates of Downing Street and some among the crowd threw cans and glass bottles ⬇️ https://t.co/DVU7QnzexX pic.twitter.com/BAMPf2DFwv
I akuzuari 17-vjeçar
Kujtojmë se të hënën, një sulmues vrau tre fëmijë në një shkollë kërcimi në qytetin Southport. Nga sulmi u plagosën 11 persona. Policia britanike ka akuzuar një djalë 17-vjeçar për vrasjen e tre vajzave dhe dhjetë akuza për tentativë vrasje në një sulm me thikë në një klasë verore kërcimi që tronditi kombin dhe ndezi protesta të dhunshme.
Në sulmin e së hënës në qytetin ndryshe paqësor, tre vajza të moshës gjashtë deri në nëntë u vranë dhe tetë fëmijë të tjerë pësuan plagë me thikë. Të pestë mbeten në gjendje kritike në spital, së bashku me dy të rritur që u përpoqën t’i mbronin, tha policia.

Kryeministri Keir Starmer i quajti ata që u përleshën me policinë për sulmin “banditë”, duke thënë se ata “do të ndjenin fuqinë e plotë të ligjit”. Më shumë se 50 oficerë policie u plagosën në protestat në Southport të martën, kur protestuesit u vunë zjarrin furgonëve të policisë dhe hodhën tulla ndaj oficerëve. Në Londër dje, protestuesit hodhën pishtarë dhe bombola tymi drejt Downing Street.
Banorët vendas në Southport dënuan dhunën. Qindra njerëz në komunitet morën pjesë në vigjilje në zi për fëmijët e vrarë dhe vendosën buqeta në vendin e sulmit. /Ballkani.info/







