Ky është vlerësimi i Qeverisë Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Qeveria në detyrë e konsideron të zhvleftësuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ani pse ky mekanizëm përmendet në Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2020-2024. Zyra e Kryeministrit këtë e bazon në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor 2015.

Pjesë e obligimeve të MSA-së është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, respektimi i parimeve të bashkëpunimit rajonal dhe bashkëpunimi efektiv me misionin e Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Sa i përket pikës që i referohet Asociacionit, thuhet se do të veprohet në përputhje me aktin më të lartë juridik dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se askund në këtë dokument nuk kanë paraparë ndonjë masë afatshkurtër ose prioritet afatmesëm që parasheh çfarëdo veprimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan KOHA.

Ai ka cituar pjesën e Programit ku thuhet se, “është thelbësore që Kosova të vazhdojë zbatimin në mirëbesim të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Në dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një aktgjykim lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës gjithnjë do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, është paragrafi vijues të cilin e ka përmendur Kryeziu në përgjigje.

“Pra, përmendet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, nr. KO 130/15, i publikuar më 23 dhjetor 2015, i cili praktikisht e ka zhvlerësuar projektin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo nënkupton se meqë përmendet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo tregon se qëndrimi i Qeverisë është se ne kemi vullnetin politik t’i zbatojmë të gjitha marrëveshjet, përfshirë këtë, në mirëbesim dhe në përputhje me Kushtetutën dhe rendin juridik. Më tej, askund në këtë dokument nuk kemi paraparë ndonjë masë afatshkurtër ose prioritet afatmesëm që parasheh çfarëdo veprimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Kryeziu për KOHËN.

“Në këtë kontekst, siç është evidente në Programin e Qeverisë – i cili në faqe 42 parasheh si në vijim: ‘Rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë dhe, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut’ – dhe nga deklarime të vazhdueshme publike të kryeministrit Kurti lidhur me këto marrëveshje, Qeveria nuk do të marrë ndonjë vendim ose ndërmarrë ndonjë veprim para përfundimit të një rishikimi të tillë. Çfarëdo vendimesh e veprimesh eventuale që do të merren pas këtij rishikimi në çdo rast do të jenë vetëm në përputhje të plotë me frymën dhe përmbajtjen e Kushtetutës dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Por edhe pse Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e marrëveshjes, ajo nuk e ka rrëzuar atë duke thënë se shkeljet duhet të evitohen me rastin e draftimit të statutit. Për Kushtetuesen vazhdon të vlejë marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, e cila në gjashtë pikat e saj flet për themelimin e Asociacionit.