Propozimi

Ky është shqiptari për të cilin po shkruajnë mediat e huaja: Propozimi për martesë i djeg shtëpinë, por ai nuk e lë me aq

Një propozim për martesë i dalë jashtë kontrollit- kjo është historia e një shqiptari i cili pasi kishte përgatitur çdo gjë për t’iu ulur në gjunjë të dashurës e për t’i kërkuar të martohej me të, shtëpia i mori flakë.

Lajmi, i cili ka pushtuar rrjetet sociale ka në qendër të vëmendjes një 26-vjeçar me origjinë shqiptare, Albert Ndreu, i cili jeton në Britaninë e Madhe.

Alberti kishte vendosur t’i propozonte të dashurës së tij, Valerija Madevic në mënyrën më romantike të mundshme. Kështu i riu e mbushi shtëpinë me qirinj, me shumë drita dhe 60 tullumbace.

Në pamjet e publikuara nga mediat shihet se me qirinj të ndezur në dysheme ai kishte shkruar “Martohu me mua?”, ndërkohë përreth nuk mungonin petalet e trëndafilave dhe shishja e verës.

Pasi Ndreu përfundoi përgatitjet, shkoi për të marrë të dashurën por për fat të keq kur u kthye e gjeti shtëpinë të përfshirë nga flakët. Menjëherë tre ekuipazhe zjarrfikësesh nga “Yorkshire Fire dhe Rescue” arritën në vendngjarje duke shuar zjarrin që për fat të mirë nuk lëndoi asnjë person.

Megjithatë, kjo ndodhi nuk e zmbrapsi Albertin. Në banesën e djegur, ku vetëm muret kishin mbetur dhe gjithçka tjetër ishte kthyer në hi, ai është ulur në gjunjë dhe i ka propozuar 22-vjeçares për martesë ku dhe ka marrë përgjigjen “PO”.