Ky është personi që vdiq dhe personi tjetër që mbeti i lënduar rëndë nga aksidenti në Deçan

Fatlind Hysenaj është personi 23-vjeçar që ka ndërruar jetë në aksidentin e mëngjesit të sotëm në Deçan, ndërsa Shkëlqim Kameraj është 26-vjeçari që ka mbetur rëndë i lënduar.

Aksidenti ka ndodhur saktësisht në fshatin Isniq, rreth orës 2 e 50 minuta. Shkaktar i aksidentit sipas njoftimit të Policisë së Kosovës ka qenë shpejtësia e madhe e veturës.

Vetura që drejtohej nga Hysenaj është përplasur me një shtëpi jashtë rrugës, aty ku ka ndërruar jetë në vend 23-vjeçari, ndërsa Kameraj ka pësuar lëndime të rënda trupore. Gjendja e tij vazhdon të jetë kritike sipas Policisë së Kosovës.

“Sipas të dhënave nga hetuesit nga vendi i ngjarjes, në ketë aksident ishte përfshirë një automjet me targa regjistrimi të jashtëm. Ngasësi i automjetit kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes sipas konstatimit mjekësor, ndërsa pasagjeri kishte pësuar lëndime të rënda trupore, me ç’rast është dashur të intervenojë edhe njësiti i zjarrfikësve”.

“Personi i lënduar, është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal Pejë dhe për shkak të lëndimeve të rënda më pastaj është dërguar për QKUK Prishtinë, sepse gjendja e tij ishte serioze”.

“Deri të aksidenti ka ardhur për deri sa drejtuesi i automjetit kishte qenë duke qarkulluar nga drejtimi i Deçanit në drejtim të Pejës, më të arritur në fshatin Isniq në vendin e quajtur ‘te ura e Demës’, për shkak të shpejtësisë shumë të madhe kishte humbur kontrollin mbi timon, ka dalë jashtë rruge në të djathtë dhe është përplasur me një shtëpi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.