Ky është përkthyesi i ekspertizës zvicerane për vdekjen e Astrit Deharit

Pas bërjes publike të ekspertizës së ardhur nga Zvicra për rastin e vdekjes së Astrit Deharit dhe shpalosjes së gjetjeve të atij raporti, një prej çështjeve që është diskutuar jashtëzakonisht shumë të enjten ka qenë edhe mënyra se si ishte përkthyer ai raport. Por kush është përkthyeri i atij raporti nga frëngjishtja në gjuhën shqipe.

Ismail Ismaili është personi i cili figuron si përkthyes dhe interpret gjyqësor në versionin e gjuhës shqipe të Raportit të ekspertizës mjeko-ligjore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Ai është angazhuar në përkthimin e materialit prej rreth 60 faqesh të Institutit të Lozanës në Zvicër ndërsa ka deklaruar se këtë punë e kryen me autorizim të Gjykatës së Qarkut në Gjilan.

Ismaili është përkthyes dhe interpret gjyqësor që punon në kompaninë e përkthimeve “Prestige” e cila ka seli në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Në faqen e 14-të të raportit përfundimtar( versioni në shqip) për rastin Astrit Dehari përkthyesi dhe interpret gjyqësor zotohet për saktësinë e përkthimit, i cili është kontestuar nga njohësit e gjuhës frënge dhe shqipe.

“Unë, i poshtë nënshkruari, Ismail Ismaili, përkthyesi- iterpret gjyqësor i autorizuar nga Gjykata e Qarkut me vendimin nr. 238/2009 e vërtetoj saktësinë dhe autorësinë e përkthimit nga gjuha frënge në gjuhën shqipe. Në dëshmi të kësaj, kam vendosur nënshkrimin tim dhe vulën e datës 19 tetor 2009, në Prishtinë”, shkruan Ismaili në raportin e përkthyer prej tij.Përmbajtja e raportit të ekspertizës mjeko-ligjore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, versioni në gjuhën shqipe është kritikuar ashpër për nivelin e përkthimit. Njohësit e gjuhës frënge kanë akuzuar publikisht autorin e përkthimit për pasaktësi dhe pakuptimësi deri në keqkuptim të versionit origjinal të raportit.

loading…