Ky është letërkëmbimi i Haradinajt me Sekretarin e NATO-s për FSK-në: Ushtria të ketë qasje në të gjithë territorin e Kosovës

Letërkëmbimi i publikuar sot nga kryeministri Kurti nuk është asgjë më shumë se një zotim i Thaçit si kryeministër i atëhershëm se nuk e garanton mosdërgimin e FSK-së në veri, por e siguron NATO-n se një gjë të tillë do të bëjë vetëm në koordinim të plotë me NATO-n.

Çdo aktivitet i sigurisë në Kosovë, në fakt ka qenë dhe mbetet i koordinuar me NATO-n. Njësoj kishte vepruar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në një letër dërguar NATO-s para transformimit të FSK-së në ushtri.

Në letrën e Haradinajt dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stolenberg, kërkohet qartazi nga NATO-ja që ta mbikëqyrë shpërndarjen e trupave të FSK-së në gjithë Kosovën për 10 vitet e ardhshme, sa edhe do të zgjasë tranzicioni i FSK-së në ushtri.

“Dëshiroj t’i bëj ftesë KFOR-it për ta nënshkruar një protokoll të ri me Qeverinë e Kosovës, për t’i vendosur procedurat operacionale për shpërndarjen e FSK-së brenda Kosovës deri në përfundim të mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Kam besim që do ta konsideroni ofertën time që NATO ta monitorojë procesin 10-vjeçar të procesit të tranzicionit dhe mundësinë për ta nënshkruar një protokoll të ri me KFOR-in për shpërndarjen e FSK-së brenda Kosovës deri në përfundim të mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”

Po ashtu, për një letërkëmbim të Qeverisë së Isa Mustafës me NATO-n, kishte folur vetë Mustafa në një konferencë më 8 dhjetor 2016.