Kuvendi i Kosovës është duke vazhduar të jetë në pushim, kjo pas “protestës” së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët nuk e duan pjesëmarrjen e zv.kryeministrit Driton Selmanaj.
Deputetët e Vetëvendosjes duke grushtuar tavolinat dhe duke bërtitur “jashtë, jashtë”, pamundësojnë mbajtjen e seancës.
Duke folur rreth kushtit të kësaj partie që ta pranojnë Selmanajn në seancë, Vetëvendosje thotë për Ballkani.info, se ata kanë vetëm një kusht dhe ai është shkarkimi i tij.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Elbert Krasniqi, shprehet se ata do të vazhdojnë me protestën e tyre, gjersa e quan provokim ardhjen e tij.
“Është vetëm një kusht – Driton Selmanaj duhet të shkarkohet. Ne do të vazhdojmë protestën tonë përderisa ai vijë në seancat plenare. Ky është provokim nga ana e tij”, thotë Krasniqi për Ballkani.info.
Kujtojmë, se kjo protestë e deputetëve të Vetëvendosjes vjen pas deklaratës së zëvendës kryeministrit Driton Selmanaj, i cili duke folur për çështjen e të zhdukurve të luftës, është shprehur se “jemi lodhë nga këto gjëra”./Ballkani.info./







