Ky është bilanci i koronavirusit deri më sot në Kosovë

Që nga fillimi i javës numri i rasteve me koronavirus në Kosovë filloi të përmirësohej dukshëm, ku çdo ditë nga rezultatet e publikuara kishte më shumë persona të shëruar sesa të infektuar, shkruan ballkani.info

Deri më tani në Kosovë janë shënuar totalisht rreth 806 raste, derisa janë konfirmuar 22 viktima.

Por numri i të shëruarve që po rritet çdo ditë, deri tani ka arritur në 271 raste gjithsej.

Pas përmirësimit të gjendjes  nga kriza e koronavirusit, tani masat për qytetarët e Kosovës priten të lehtësohen, duke filluar nga 4 maji. Masat e reja të cilat janë prezentuar gjatë ditës së sotme do vlejnë duke vlerësuar herë pas here gjendjen nga epidemiologët dhe në bazë të udhëzimeve të tyre këto masa do shqyrtohen herë pas here.

Komunat më të prekura vazhdojnë të mbeten Ferizaji me 98 raste, dhe Malisheva me 76 raste por me 57 nga ta të shëruar.

Pas këtyre dy komunave pasojnë Peja, Prizreni e Vitia.

Gjatë ditës së sotme, në njoftimin e IKSHPK, pas analizave të kryera vetëm 7 raste kanë rezultuar pozitiv, derisa 22 persona janë konfirmuar si të shëruar.

Nga qytetarët vazhdohet të kërkohet disiplinë, zbatim të rregullave, dhe qëndrim në shtëpi, duke bërë kështu që gjendja të përmirësohet edhe më shumë dhe duke rritur shpresën për mposhtjen e kësaj pandemie.

Në nivel global, deri tani  janë konfirmuar rreth 3,25 milion raste me koronavirus, me 231 mijë viktima, derisa të shëruar janë rreth 1,1 milion njerëz. /Ballkani.info/