Kuzhinieri që u lëndua gjatë shpërthimit largohet nga lista për Turqi, është në gjendje kome!

E.Xh dhe F.G nga Kaçaniku janë në gjendje të rëndë shëndetësore pas shpërthimit të një bombole të gazit në një restorant në Ferizaj. Përkundër gjendjes së tyre të rëndë, ata nuk janë përzgjedhur që të dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi. E.Xh ishte kuzhinier i restorantit, ndërsa F.G, atë ditë aty kishte shkuar bashkë me familje për të ngrënë drekë.

6 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore pas shpërthimit të një bombole të gazit në një restorant në Ferizaj.

Shefi i këtij restoranti, që është në gjendje më të rënduar se të tjerët, bashkë me një të lënduar tjetër, në orët e hershme të ditës së sotme janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi. Ndërsa, 20 vjeçarja e lënduar rëndë po ashtu do të niset gjatë ditës për në Turqi, bashkë me një nga të lënduarit.

Por, E.XH, kuzhinier i këtij restoranti dhe F.G, i cili atë ditë aty kishte shkuar bashkë me familjen për të ngrënë drekë, përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore, do ta vazhdojnë trajtimin në QKUK.

Ndonëse edhe gjendja e tyre është shumë e rëndë, ata nuk mund të dërgohen për trajtim në Turqi, pasi ky shtet ka vendosur të pranojë vetëm katër pacientë.

Anesteziologu Shaqir Uka, ka treguar për Express se si është bërë përzgjedhje e 4 pacientëve që do ta vazhdojnë trajtimin shëndetësorë në Turqi.

Ai ka thënë se edhe gjendja e dy pacientëve tjerë që do të mbesin në QKUK është e rëndë, por që presin që ditëve në vazhdim edhe ata t’i transferojnë në spitalet në Turqi.

“Prej këtyre 6 personave që kanë qenë në klinikë është vendosur fillimisht që të 6’të të dërgohen për mjekim në Turqi, por nga ky shtet kanë thënë se për momentin munden t’i akomodojnë vetëm 4 pacientë. Dy nga pacientët janë dërguar, ndërsa dy pritet t’i dërgojmë gjatë ditës. Për momentin 4 pacientë janë në klinikë. Përzgjedhja fillestare e pacientëve për trajtim në Turqi është bërë nga autoritetet e konsilziumit të kirurgëve plastik dhe të klinikës. Andaj është vendosur që të dërgohen 4 pacientët që janë në gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka thënë ai.

Uka ka treguar se edhe dy pacientët që kanë mbetur në klinikë kanë djegie të mëdha dhe janë në gjendje të rëndë, por që janë në monitorim 24 orësh dhe po marrin trajtimin adekuat në QKUK.

Ai ka thënë se edhe këta dy pacientë kanë qenë në listë që të dërgohen jashtë vendit, por që pas rekomandimeve të shtetit turk që atje të dërgohen vetëm 4 pacientë, ata janë ndalur në klinikë, me qëllimin që pas disa ditësh të dërgohen edhe ata në Turqi.

“Dy pacientët tjerë do të mbesin në klinikë. Janë procedurat që edhe ata sa më shpejtë të dërgohen për trajtim në Turqi. Gjendja momentale e 4 pacientëve që janë në klinikë është stabile dhe ata janë në monitorim 24 orësh. Po presim që gjatë ditës dy nga ta t’i nisim në Turqi. Dy pacientët tjerë do të marrin trajtimin adekuat në klinikë”, ka thënë ai.

Dy pacientët që kanë mbetur për trajtim në QKUK, E.Xh dhe F.G, janë nga Kaçaniku. Familjarë të këtij të fundit tashmë kanë filluar të mbledhin fonde që edhe atë ta dërgojnë për trajtim në Turqi.

Ndërsa, ata janë ankuar se F.G kishte qenë në listë për trajtim jashtë vendit, por që më pastaj ishte larguar nga lista.

Ndërsa, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në Komunën e Kaçanikut, Diana Reka, ka thënë për Express se ditëve të ardhshme në bashkëpunim me kryetarin e komunës do të mundohen që t’i dalin në ndihmë këtyre dy personave.

“Pasi sot është ditë feste dhe nuk punohet, në ditët e ardhshme si komunë do të punojmë që t’i ndihmojmë atyre. Këtë do ta bëjmë në bashkëpunim me kryetarin e komunës”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që nga shpërthimi i bombolës së gazit në një restorant në Ferizaj më shumë se 40 persona kishin pësuar lëndime. Ndërsa, shefi i këtij restoranti G.S ishte në gjendjen më të rëndë shëndetësore, pasi kishte pësuar 50 për qind djegie.