Kuvendi

Kuvendi sot debaton për gjendjen në shëndetësi, kjo është draft-rezoluta që do të prezantohet

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të diskutohet për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore. Në seancën që është thirrur nga Grupit Parlamentar i AAK-së dhe është mbështetur edhe nga dy partitë tjera opozitare, PDK dhe LDK-ja, do të prezantohet një draft-rezolutë.

Në draft-rezolutën, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, kërkohet një koordinim më i fuqishëm ndërinstitucional për përmirësimin e situatës në shëndetësi.

Dokumenti në fjalë përbëhet nga pesë pika, të cilat tregojnë hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e sfidave në këtë fushë.

Në piken e dytë të draft-rezolutës flitet për planin e implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore.

1. Koordinimi i fuqishëm ndërinstitucional dhe se ky funksion do të duhej të zhvendosej në nivel shumë më të lartë se sa aktualisht (Qeveria ose Kuvendi); 2. Hartimii planit për implementimin e Skemës së Sigurimit Shëndetësor nga grup ekspertesh” thuhet në dy pikat e para të draft-rezolutës.

Më pas, tregohet hapat tjerë që duhet ndërmerren në këtë fushë.

3. Hartimi i pakos bazike të shërbimeve shëndetësore, si dhe çmimorja me kosto të definuar; 4, Implementimi dhe funksionalizimi komplet i SISH-it; 5. Monitorimi i rreptë i zbatimit të planit nga organi kordinativë në nivel të qeverisë ose parlamentit”, thuhet në tekstin e dokumentit që e ka siguruar gazeta Nacionale.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ditë më parë, ka bërë me dije se mungesa e sigurimeve shëndetësorë po dëmton qytetarët e Kosovës.

Mungesa e sigurimeve shëndetësorë dëmton buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve! Sigurimet shëndetësore ‘Conditio sine qua non’ për shërbime mjekësore cilësore dhe ndaljen e migrimit të mantilbardhëve nga vendi”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, në mungesë të këtyre sigurimeve kosovarët po shpenzojnë miliona euro jashtë vendit.

Sot, fatkeqësisht qytetarët tanë shpenzojnë me miliona euro jashtë vendit, në mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe shërbimeve cilësore shëndetësore. Për shkak të qeverisjes së dobët dhe pa vizion, vazhdojmë të jemi vendi i vetëm në rajon dhe Evropë, pa sigurime të mirëfillta shëndetësore!”, ka shkruar ai.

Qeveria Kurti kishte ardhur në pushtet me zotimin se do të nxjerrjet Ligjin për Sigurimet Shëndetësore.

Në programin qeveritar 2021-2025, i cili është prezantuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në sektorin e shëndetësisë ishte paraparë reformimi i sektorit të shëndetësisë, cilësia e shërbimeve shëndetësore dhe sigurime shëndetësore publike. Pas tri vjet qeverisje, Qeveria Kurti ende nuk e ka realizuar asnjërin nga këto zotime.

Opozita dhe njohësit e fushës vazhdimin kanë kritikuar Qeverinë për këtë sektor. Ata kanë përmendur sfidat me të cilat po përballen kosovarët në sektorin e shëndetësisë.