Kuvendi s’ka kuorum për ta votuar Rezolutën e deputetëve për Luginën, ajo e Thaçit s’diskutohet

Pa asnjë vendim ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës.

Në mungesë të kuorumit,kryesuesi i kuvendit Xhavit Haliti,ka ndërprerë seancën, për t’i lënë mundësi plotësimi edhe Rezolutës së deputetëve për Luginën.

Ndërkaq Rezoluta e presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën nuk është diskutuar.

Pikat nga rezoluta e deputetëve:

1. Çështja e Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e përhershme e dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

2. Qeveria e Kosovës të informojë institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese që po ushtron shteti serb ndaj qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

3. Qeveria e Kosovës në dialog të insiston që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të drejtat e njëjtë me qytetarët serbë në Kosovë.

4. Qeveria e Kosovës të pajisë me dokumente identifikuese qytetarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë.

5. Qeveria e Kosovës të kërkojë nga Serbia ta ndërpresë pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

6. Qeveria e Kosovës të hapë përfaqësinë diplomatike në Luginë të Preshevës.

7. Qeveria e Kosovës në kuadër të zyrës së kryeministrit ta hapë një zyrë për Luginën e Preshevës.

8. Qeveria e Kosovës të ndajë fonde të përhershme zhvillimore për Luginën e Preshevës.

9. Qeveria e Kosovës të pajisë me tekste shkollore Luginën e Preshevës.

10. MKRS të obligohet të zbatojë memorandum e bashkëpunimit.

11. MAShT të rritë kuotat për studentët nga Lugina e Preshevës në universitete publike në Kosovë.

12. Tu lejohet mjekëve që diplomojnë në Prishtinë të kryejnë praktikën në Kosovë.

13. Kuvendi përmes komisioneve parlamentare ta përcjellë gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ngase për votimin e rezolutës nuk pati kuorum, votimi i saj u vendos për seancë tjetër.