Mediat

Kuvendi rekomandohet nga KiE që të bëjë draftin e ri të ligjit për KPM-në

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë kanë mirëpritur raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës në lidhje me projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media.

Nëpërmjet këtij raporti, ekspertët e Këshillit të Evropës i kanë rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të nisë hartimin e një drafti të ri të projektligjit për KPM-në.

Zyra e BE-së në një postim në Facebook ka theksuar se “duhet bërë më shumë punë për t’u siguruar që drafti nuk do të cenojë pavarësinë e KPM-së dhe që të mos krijojë jokonsistencë ligjore.

Gjithashtu bëhet thirrje që të konsultohen edhe mediat me qëllim që rekomandimet të vërehen në draftin e ri.

Këtë rekomandim e ka mirëpritur kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, i cili ka thënë se raporti i Këshillit të Evropës konfirmon shqetësimet e AGK-së për ligjin e ri të KPM-së.

“Bashkimi Evropian në Kosovë dhe OSCE mirëpresin raportin e ekspertëve të Këshillit të Evropës, që konfirmon shqetësimet e AGK-së dhe akterëve të tjerë për Ligjin e ri të KPM-së, dhe i rekomandon Kuvendit të nisë së hartuari një draft të ri”, ka thënë ai.