Kuvendi nesër pritet të miratojë Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së

Kuvendi i Kosovës pritet nesër të shqyrtojë projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ballkani.info merr vesh se shqyrtimi dhe votimi i këtij projektligji pritet të hyjë në rend ditë me mocion procedural.

Qeveria e Kosovës, më 14 korrik ka mbështetur këtë projektligj, duke e proceduar në kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe i mbështetur nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerës e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore. Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës. /Ballkani.info/