Kuvendi miraton 15 projektligje për shëndetësi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar 15 projektligje të sektorit të shëndetësisë që janë në harmonizim me Ligjin për kundërvajtje.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku e cila ka prezantuar këto projektligje në pako, tha se ndryshimet mundësojnë një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit publik.

Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se sjellja e 15 ligjeve për plotësim-ndryshim për këtë sektor është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor.

“Sjellja e 15 ligjeve për plotësim ndryshim në sektorin e shëndetësisë është më shumë improvizim se sa ndryshim përmbajtjesor, edhe i cili do të avanconte shërbimet shëndetësore apo edhe ruajtjen e shëndetit publik. Qeveria duhet t’i kthehet seriozitetit të punës, dhe jo improvizimeve sidomos në fushën e shëndetësisë”, tha ai.

Ani se ka mbështetur këtë pako për ndryshim plotësim të këtyre ligjeve në sistemin e shëndetësisë, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ka nevojë për një reformë më të thellë në sistemin shëndetësor.

“Këtu po shohim projektligje tejet të rëndësishme, siç është edhe projektligji për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse. Jemi duke kaluar në një kohë pandemie ku besoj që pikërisht ndërhyrjet në këtë ligj janë tejet të nevojshme në mënyrë që ta bëjmë edhe më të zbatueshëm dhe të jemi më efikas në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Pastaj, është edhe projektligji për sigurime shëndetësore. Këtu na duhet një debat më I thellë pasi qytetarët e vendit tash e një kohë të gjatë I presin”, tha ai.

Disa nga projektligjet që kanë kaluar sot në kuvend janë: Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për shëndetësi, Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për sëmundjet ngjitëse, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetësi publike, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbimin mjekësor emergjent, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për gjak dhe përbërës të gjakut, projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërprerjen e shtatzënësisë, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shëndetin riprodhues, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin sanitar të Kosovës.