Kuvendi

​Kuvendi me komision hetimor për rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje

Është konstituar sot Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje. I njëjti ka qëllim të hetojë rastet e gjykuara dhe në gjykim të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Kryesuesi i këtij komisioni, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami tha pas hetimeve komisioni do të dalë me një rekomandim për institucionet sesi duhet trajtuar rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

“Dhuna ndaj grave është një ndër format më të përhapura të dhunës dhe shkeljeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut në Republikën e Kosovës. Të gjithë ne kemi qenë dëshmitarë dhe kemi parë raste monstruoze që kanë marrë vëmendjen tonë, por për fat të keq vetëm kur ato kanë përfunduar me fatalitet ne kemi mësuar për dhunën e ushtruar ndaj këtyre viktimave por edhe për shkeljet dhe lëshimet e bëra nga institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për parandalimin, menaxhimin dhe dënimin e dhunuesve”, tha ai.

Ky komision është themeluar në muajin qershor të këtij viti me nënshkrimin e 42 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në konstituimin e këtij komision sot munguan deputetët nga radhët opozitarë./KP/