Prizren

Kuvendi i Prizrenit miraton ‘Kartën e Qytetit’

Në mbledhjen e XI-të Kuvendit Komunal të Prizrenit u shqyrtua dhe u miratua me shumicë votash propozimi për Kartën e Qytetit të Prizrenit, që ka për qëllim promovimin dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit.

Nisma për Kartën e Qytetit është pjesë e projektit “Rikthimi i qytetit – E Drejta mbi Qytetin për grupet e nën përfaqësuara të komunitetit në Prizren”, nga organizata Ec Ma Ndryshe.

Ky akt parashihet që të zbatohet në raport me të gjithë qytetarët, pa diskriminim, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore të Komunës së Prizrenit. Njëkohësisht zbatimi i të drejtave të përshkruara në këtë Kartë paraqet vetëm një instrument plotësues dhe përforcues për të drejtat ekzistuese në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

Karta në fjalë më shumë ka kuptimin e një deklarate të parimeve, që shërben si mjet për reformimin urban, duke përqafuar praktikat e qeverisjes së mirë dhe të gjithpërfshirjes, si dhe aktivizmin qytetar. Pos dispozitave për të drejtat mbi qytetin e Prizrenit, propozimi në fjalë përmban edhe mekanizmat e zbatimit të Kartës së Qytetit.

Hartimit të kësaj karte i ka paraprirë procesi i konsultimit disa javor me grupet e nën-përfaqësuara të qytetit, si: komuniteti i të rinjve, grave, të moshuarve, Personave me Aftësi të Kufizuara, komuniteti i kulturës, sikurse edhe diskutimi me zyrtarët komunalë të dikastereve të ndryshme.

Karta e Qytetit “E Drejta mbi Qytetin e Prizrenit” bazohet në këto vlera dhe parime: dinjiteti i qytetarëve, liria, barazia dhe mos-diskriminimi, pjesëmarrja e qytetarëve dhe gjithpërfshirja në politikat publike të Komunës, qëndrueshmëria sociale dhe mjedisore si dhe bashkëpunimi dhe solidariteti mes qytetarëve, i Komunës me qytetarët dhe anasjelltas.