Kushti i Veton Surroit për t’u bërë kryeministër në vitet e ’90-ta

Politologu Ramush Tahiri, në intervistën e tij për Rubikon të KTV-së, ka folur për formimin e qeverisë së përkohshme në vitet e ’90-ta dhe emrat të cilët atë kohë u propozuan për të marrë postin e kryeministrit.

Ai përmendi se një ndër propozimet ishte edhe publicisti Veton Surroi, veç Rexhep Qosjës, Mahmut Bakallit, Fehmi Aganit e të tjerëve.

Tahiri ka thënë se Surroi kishte refuzuar një post të tillë për shkak se duhej të udhëhiqte nga jashtë.

Kushti i tij ishte që nëse i bashkohet edhe Presidenti në këtë udhëtim, atë kohë, Ibrahim Rugova, atëherë do të pranonte.

Tahiri bëri të ditur se vendimi që kryeministri të operojë nga jashtë ishte evitimi i luftës.

“Është propozuar kryeministër Veton Surroi mirëpo ai ka thënë jo, nuk pranonte të dilte jashtë përveç nëse dilte edhe Presidenti. Jo që ka pas ndonjë animozitet. Ne pse vendosëm me dalë jashtë, ishte për të mos nisur luftën, nuk ishim të gatshëm për luftë. Plus nuk i kishim kontaktet për jashtë. Lufta mund të na imponohej, por s’ishte në vullnetin tonë. Ajo s’ka qenë qeveri në ekzil, por qeveri e Kosovës që ka punuar jashtë vendit”, ka thënë Tahiri.

loading…