Kushtëzimi francez, ndërlidhet me marrëveshjen finale Kosovë-Serbi

Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë shteti i vetëm në Evropë që të paktën edhe për një kohë, qytetarëve të saj do t’i duhet një vizë për të udhëtuar.

Kjo u bë e ditur edhe pas takimit të së enjtes të Grupit të Ekspertëve të Këshillit të Bashkimi Evropian, ku Kosovës iu shtua edhe një kusht tjetër për të marrë liberalizimin.

Këtë qëndrim të Francës të përkrahur edhe nga 4 shtete të tjera të unionit evropian po e quan të padrejtë profesori amerikan Chris Dolan.

“Po është e padrejtë për Kosovën, Franca propozoi që procesi i liberalizimit të vizave të Kosovës të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS). Por, Presidenca Çeke në Bashkimit Evropian ka theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, ka thënë Dolan.

Chris Dolan, profesor amerikan

Profesori Dolan nuk anashkalon mundësinë që kjo po përdoret si karrem për marrëveshjen finale mes Prishtinës e Beogradit.

“Por kjo është për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mendoj dhe pika kryesore e pengesës: asociacioni i komunave serbe. Franca mendoj se po i bën presion Kosovës që të arrijë një marrëveshje me Serbinë për këtë çështje”, ka thënë Dolan.

Edhe në Prishtinë, funksionalizimi i sistemit ETIAS po konsiderohet se do të shtyjë periudhën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“një proces i vonuar pa të drejtë, duke iu referuar qëndrimeve të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, që me tepër se katër vite. Dua të besoj që nuk bëhet fjalë për një kusht të ri, e kuptoj që ndërlidhja e sistemit ETIAS, i cili end nuk është në fuqi, në BE, duhet të reflektojë shqetësimet e disa shteteve anëtare, sa i përket migrimit në hapësirën e BE-së. Funksionalizimi i tij do të pengonte qytetarin e Kosovës në kuptim të kohës, i cili supozohet të jetë fundi i vitit 2023”, ka thënë profesori universitar, Arben Fetoshi.

Arben Fetoshi, profesor universitar

“Është e pakuptimtë insistimi Francës për kushte të reja. Por, s’duhet të harrojmë që këtu ka rol të madh diplomacia serbe dhe angazhimi i Serbisë për të kundërshtuar në çfarëdo aspekti rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka shtuar opinionisti, Gazmir Raci.

Gazmir Raci, opinionist

Ndërkohë, qytetarë po shprehen të frustruar më atë se çka ndodhi të enjten në Bruksel, duke thënë se Franca ka më shumë afërsi me fqinjin tonë.

Gjithmonë deri tash e kanë përkrahë Serbinë dhe Rusinë. Kjo u bo bajat, që sa vjet shumë e tepërt”, ka thënë Ali Brahiu.

Ali Brahiu, qytetar

“Franca e ka më së shumti tutën e refugjatëve dhe ka shumë refugjatë shqiptarë që janë mbledhë në Francë, sidomos të Kosovës dhe Shqipërisë, kjo është brenga më e madhe për ta”, ka shtuar Rrahman Mehmeti.

Rrahman Morina, qytetar

“Si të liberalizohen vizat Kosovën e lëshojnë krejtë, krejt e lshojnë edhe ashtu jon ka e lshojnë, e si t’i qelën rrugët, kufitë nuk po don me ndejtë këtu kurkush”, ka thënë Tahir Haxholli.

Rrahman Mehmeti, qytetar

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë./Dukagjini