Kushtetuta e Kosovës më përmbajtësorja në rajon sa i përket të drejtave të komuniteteve

Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut përkatësisht të drejtave të komuniteteve etnike, Kushtetuta e Kosovës ngjason të jetë shumë më e avancuar përball kushtetutave të tjera të shteteve të rajonit.

Në Kushtetutën e Kosovës si në aspektin formal po ashtu edhe në atë përmbajtjesor më shumë përmenden etnitë pakicë në vend, sesa shqiptarët që përbëjnë mbi 95 për qind të popullatës së përgjithshme.

Për shembull, emri shqiptar përmendet vetëm tri herë në Kushtetutë, dy herë për gjuhën dhe një herë emri etnik si shqiptar).

Ndryshe emri serb përmendet 16 herë, tri herë për gjuhën, e 13 herë emri kombëtar, në nene të ndryshme të Kushtetutës.

Vetë emri kosovar është i shënuar vetëm tri herë në Kushtetutë, në rastin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edhe komunitetet tjera përmenden në Kushtetutën e Kosovës dhe asnjë nuk përmendet më pak sesa shqiptarët. Në aktin më të lartë juridik tri herë, për arsye të ndryshme, gjendet emri turk, pesë herë ai rom dhe tri herë të tjera emri boshnjak. Edhe komuniteti goran përmendet në dy raste të tjera gjithashtu.

Krejt e kundërta është në kushtetutat tjera te vendeve të rajonit, të cilat kanë grupe etnike edhe më të mëdha se Kosova, apo siç është Maqedonia Veriore ku shqiptarët janë etni shtetformuese.

Në kushtetutën e këtij shteti plotë 27 herë përmendet emri maqedonas, kurse vetëm pesë herë ai shqiptar dhe dy herë të tjera emri serb.

Në këtë shtet, njëjtë sa shqiptarët që përbëjnë rreth 30 për qind të popullatës së përgjithshme, përmendet emri turk dhe tri herë të tjera ai boshnjak.

Edhe në aspektin e gjuhës, Kushtetuta e Kosovës është shumë tolerante ndaj gjuhëve të pakicave. Për shembull njëjtë si gjuha shqipe, edhe gjuha serbe është gjuhë zyrtare në nivel nacional, ndërsa gjuha turke ka statusin e gjuhës zyrtare nëpër komuna si Prishtina e Prizreni ku është më i përqendruar komuniteti turk.

Ndërsa në Kushtetutën e Serbisë, pakicat me emrat specifik nuk përmenden fare, por vetëm ka referime me emër të përgjithshëm si “pakica”. Kurse emri serb përmendet gjashtë herë.

Për më tepër, përveç që nuk përmenden komunitetet etnike pakicë si shqiptarët, boshnjakët, hungarezët, malazezët, maqedonasit, etj., Kushtetuta e Serbisë përmban brenda saj edhe pretendime territoriale ndaj fqinjit të saj, Kosovës.

Kosova brenda Kushtetutës serbe përmendet gjithsejtë 6 herë, duke paraqitur atë si pjesë integrale të Serbisë.

Pavarësisht pretendimeve të Serbisë, Kosova është shpallur shtet i pavarur qysh në vitin 2008.

Me 9 prill Republika e Kosovës shënoi 13 vjetorin nga miratimi i Kushtetutës së saj, ndërsa ajo ka hyr në fuqi me 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është amandamentuar në vitin 2012, 2013, 2015 dhe në vitin 2016.