Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për vendosjen e masës së parakohshme ndaj dekretit të presidentit për formimin e qeverisë së re, po ashtu thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë aktuale ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës.

Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi.  

Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës.

Gjykata nuk ka pranuar një përgjigje nga Kuvendi. Ani pse kjo është detyrim ligjor i të gjitha organeve publike që “të mbështesin punën e Gjykatës Kushtetuese dhe të bashkëpunojnë me Gjykatën Kushtetuese sipas kërkesës së saj”. /Ballkani.info/