Kushëriri i deputetes së LVV-së emërohet Kryeshef i “TrainKos”-it

Agron Statovci, familjar i deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtare e partisë ‘Guxo’, Jeta Statovci është emëruar sot Kryeshef i Ndërmarrjes Publike ‘TarinKos’.

Paparaci merr vesh se Agron Statovci është emëruar kryeshef i ri i ‘TrainKos’-it me vendim unanim të bordit drejtues të ndërmarrjes.

Vendimi për emërimin e tij është marrë në mbledhjen e sotme të bordit drejtues të Ndërmarrjes Publike ‘TrainKos’, raporton Paparaci.

Agron Statovci është djali i xhaxhait të deputetes Jeta Statovci, ka marrë vesh Paparaci.

Në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ai ka publikuar postime në përkrahje të deputetes Statovci.

Më 5 prill të këtij viti, Agron Statovci e shpërndau një paralajmërim për një paraqitje televizive të kushërirës së tij, të cilës i ofronte përkrahje.

Në të njëjtin publikim, përpos kushërirës së tij, ai i thurte lavde edhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila mban përgjegjësi mbi punën e TrainKos. Më 12 prill, ministrja Rizvanolli i kishte propozuar emrat për emërim në bordin e ndërmarrjes, të cilët votuan sot për emërimin e Agron Statovcit.

“Jeta dhe Artana e Kosovës”, kishte shkruar Agron Statovci në mbishkrimin e fotografisë.

Këtë postim, Statovci fshiu nga profili i tij në Facebook disa minuta pas një telefonate me Paparacin, në të cilën mohoi të ketë informata se është emëruar Kryeshef i Ndërmarrjes Publike ‘TrainKos’.

Ai i tha Paparacit se nuk është vënë asnjëherë në dijeni se emri i tij është propozuar për pozitën e Kryeshefit të ‘TrainKos’-it.