Kushaj i SBAShK-ut: Nuk besoj që do ta rikthejmë grevën

Anëtari i kryesisë së SBAShK-ut, Reshit Kushaj, deklaroi se nuk beson që do të rikthehen në grevë nëse nuk ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevistë.

Për emisionin Info Magazine në Klan Kosova ai megjithatë u shpreh se vendimin do ta merr udhëheqja e SBAShK-ut së bashku me anëtarësinë e vet.

“Propozimet, idetë dhe sugjerimet do t’i marrim prej anëtarësisë. Të shohim se çfarë po mendojnë ata dhe ne vetëm veprojmë sipas zërit dhe kërkesave të tyre që do t’i kenë. Varet se çfarë do të vendosë kuvendi i SBAShK-ut”.

“Nuk e besoj se do të bëjmë rikthimin në grevë, por çdo gjë varet prej kërkesave që do t’i ketë anëtarësia e gjerë”.

Ai po ashtu deklaroi se kjo që po ndodh tani s’ka ndodhur asnjëherë në historinë e lëvizjes sindikale në Kosovë edhe pse ka pasur greva edhe më parë dhe pagat janë ekzekutuar në kohë dhe ka pasur interesim dhe falënderim për rikthim në proces mësimor.

“Fillimin e procesit mësimor e bëmë pa asnjë kushtëzim përveçse e pezulluam grevën dhe u kthyem për hir të nxënësve në shkolla. Tani na doli se po presim të ekzekutohen pagat e kjo s’po ndodh dhe afati është edhe sot deri ne ora 12, ende nuk ka kaluar data 5. Uroj që ato të paguhen sa më parë”, tha Kushaj.