Tashmë shumë shpejtë LDK pritet që të formojë Qeverinë e re në koalicion me AAK’në. Ministra thuajse të ngjashëm priten të mbesin nga kjo parti, ndërkaq kryesimin e Ministrisë së Shëndetësisë mund ta merr Izet Sadiku ose Valbon Krasniqi, të dy këta infektologë.

Zëvendësministri aktual i Shëndetësisë nga LDK, Izet Sadiku ose infektologu Valbon Krasniqi, po shihen nga LDK si dy emra të mundshëm për të marrë kryesimin e MSH’së.

Burime të Metro mësojnë se LDK veç se është në bisedime për propozimin e njëri prej këtyre dy emrave.

Izet Sadiku, i cili aktualisht është zëvendësministër, ka qenë kandidat i LDK’sër për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa Valbon Krasniqi, kandidoi për deputet në 2017’tën.

Krasniqi, këto ditë ka qenë pjesë e thuajse secilit medium në vend, për shkak të angazhimit të tij në Klinikën Infektive, ku po trajtohen pacientët e infektuar me koronavirusin e ri, Covid-19.

Ndonëse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht, Ministra të tjerë nga LDK pritet të jenë, Agim Veliu, Vlora Dumoshi, Lumir Abdixhiku, Arban Abrashi, Hykmete Bajrami dhe Armend Zemaj.

Ndërsa, partnerit të ri të tyre në koalicion, AAK’së, pritet t’i përkasin 4 ministri e që deri tani është raportuar se ato mund të drejtohen nga figura si Ramë Likaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Meliza Haradinaj , ndërsa zëvendëskryeministër do të jetë Besnik Tahiri.