Kush janë dy policët e Njësisë Speciale që u suspenduan pas plagosjes së rëndë në “Duplex”

Dy zyrtarë policorë të NJSO janë suspenduar lidhur me rastin në Duplex muajin e kaluar, ku katër persona u plagosën.

Të suspenduarit janë G.P dhe I.H.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve lidhur me incidentin që ka ndodhur më 09.11.2019 në diskotekën Duplex në Prishtinë, ka kërkuar informacione nga Policia Kosovës lidhur me veprimet/reagimet apo mos veprimet eventuale nga zyrtarët policorë që janë ndodhur afër vendit të ngjarjes sipas detyrës zyrtare apo edhe jashtë detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë analizuar këto informacione si dhe disa video-incizime që janë siguruar nga kamerat e sigurisë në vendin e incidentit.

“Ky rast, bazuar edhe në ligjin të IPK-së është iniciuar sipas detyrës zyrtare (ex officio). Më 18.11.2019 nga IPK është rekomanduar suspendimi i dy zyrtarëve policorë të Njësive të Specializuara (NJSO – Njësitit Special Operativ) me inicialet G.P dhe I.H deri në përfundim të hetimeve”, thuhet në raport.

Në koordinim me prokurorinë kompetente lënda është duke u hetuar në procedurë të rregullt me dyshimin se është kryer vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ballkani.info merr vesh se policët e suspenduar janë janë pjesëtarët e Njësive Speciale, Ilir Hamiti dhe Gani Peci.

“Ilir Hamiti dhe Gani Peci dyshohet se kanë qenë duke punuar në Duplex si sigurim fizik jashtë detyrës zyrtare”, thonë burimet e Ballkani.info.

Mbrëmjen e së shtunës të datës 9 nëntor, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri në afërsi të lokalit të natës “Duplex”, në Prishtinë.

Në këtë rast, katër persona ishin plagosur me armë zjarri, ndërsa gjashtë persona ndodhen në arrati si të dyshuar.I dyshuari kryesor për këtë rast është Arsim Mehmeti, i njohur si “Llepota”, i cili ende ndodhet në arrati. /Ballkani.info/