Kush janë dy kandidatët për kryeminsitër të Britanisë, pas rrëzimit të Johnson

Gara për kryeministrin e ri të Mbretërisë së Bashkuar dhe kreun e partisë konservatore ka hyrë në fazën përfundimtare. Dy kandidatët e mbetur janë Rishi Sunak dhe Liz Truss, të cilët po i parashtrojnë qëndrimet e tyre anëtarëve të partisë që do të zgjedhin pasardhësin e Boris Johnson.

Duke shkruar në “Daily Telegraph”, Sunak tha se do të prezantonte “një grup reformash po aq radikale sa ato që bëri Margaret Thatcher në vitet 1980”. Në “Daily Mail”, Truss premtoi “ulje të taksave, nxitje të ndërmarrjeve dhe politika miqësore ndaj biznesit”.

Fati i tyre tani mbetet në dorë të 160 mijë anëtarëve të partisë konservatore, pas përmbylljes së procesit demokratik të përzgjedhjes nga 350 deputetët e forcës politike në pushtet. Dyshja u shfaqën si kandidatët përfundimtarë pasi Truss përmbysi një epërsi të ngushtë të mbajtur nga ministrja e Tregtisë Penny Mordaunt.

Sondazhet sugjerojnë se Sunak ka më shumë popullaritet në mesin e anëtarëve të Partisë Konservatore që do të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar muajin e ardhshëm. Truss dhe Sunak do të kenë dy debate televizive, përpara votimit përfundimtar që mbahet më 5 gusht. Rezultati do të bëhet publik vetëm një muaj më pas.

Ndërkohë, e gjithë kjo vjen pas presionit të lartë politik që detyruan kryeministrin Johnson të dorëhiqet. Ky i fundit mbajti dhe fjalimin e fundit në parlament duke përmendur sukseset në drejtim të qeverisë dhe në fund nuk harroi ta mbyllte me një batutë: Hasta la vista baby!”.