Gjykata Komerciale

Kush ishte gjyqtari që vendosi në rastin e Klan Kosovës

Gjykata Komerciale ka nxjerrë një Aktvendim, përmes së cilit shtyn ekzekutimin e vendimeve të Qeverisë për pezullimin e licencës së biznesit, derisa të merret një vendim përfundimtar për këtë rast.

Klan Kosova ushtroi padi pas vendimit të Komisionit të Ankesave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili konfirmoi marrjen e licencës së mediumit, më 28 korrik. Mediat raportuan se rastin mund ta merrnin dy gjyqtarë e njëra prej tyre ishte Vlora Pacolli, motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli. Por, në Aktvendimin e publikuar sot kuptohet se rastin e ka marrë gjyqtari tjetër, që është Arnis Dumani.

Në arsyetimin për këtë aktvendim është përmendur se Klan Kosova tashmë ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit të saj, për shkak të të cilave Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve tha se po ia merrte licensen.

Gjithashtu, në Aktvendim përmendet veprimtaria e Klan Kosovës si medium, duke u vlerësuar se mos-shtyrja e vendimeve të kontestuara, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës, do të ishte në kundërshtim me interesin publik.

“Gjykata po ashtu vlerëson faktin se paditësi e ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe përderisa vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik, gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave”, thuhet në Aktvendim.