Kush ishte Fadil Syleviqi që sot u gjend i vdekur. U përmend nga vëllezërit Kiqina, Shkumbin Mehmeti…

Ish zyrtari i policisë së Kosovës, Fadil Syleviqi, është gjetur sot i vdekur te liqeni i Badovcit, kanë bërë të ditur burime policore.

Mirëpo, Policinë e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar identitetin e tij.

Fadil Syleviqi thuhet se ka qenë i ftuar so dëshmitar nga Tribunali Special në Hagë.

Fadil Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike, shkruan Ballkani.info.

Vëllezërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001. Ata e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin.

Ai ishte përmendur edhe nga Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burg për vrasjen e dy policëve vite më parë dhe i përfshirë edhe në vrasje politike pas luftës.

Shkumbin Mehmeti, i dënuar me 30 vjet burg për vrasje, ka rrëfyer në vitin 2018 nga burgu i Dyzit për veprimtarinë e grupit kriminal, pjesë e së cilit ishte vetë ai, duke treguar vrasjet më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë edhe vrasjet politike.

Në intervistën e dhënë, Mehmeti derisa përmendi emra të cilët, sipas tij, kanë urdhëruar vrasjet e pasluftës politike, përmendi kalimthi edhe emrin e policit Fadil Syleviqi.

“Polici Fadil Syleviqi është i përshirë në shumë vrasje”, ka thënë shkurt Mehmeti, duke mos treguar specifikisht në cilat.

Më vonë, expressi kishte biseduar me ish hetuesin e Policisë së Kosovës, Syleviqin, i cili pati thënë se nuk ka pritur ndonjë urim nga Mehmeti.

Syleviqi thoshte se ishte pikërisht ai që e ndërpreu veprimtarinë e grupit kriminal, duke e arrestuar Shkumbin Mehmetin.

“U dasht Baton Haxhiu me pyet atë kush të ka arrestu. Maspari, unë e kam arrestuar atë grup. Mandej, janë ndërru shumë prokurorë, shumë gjykatës, ky është dënu si kriminel, është vërtetu fajësia e tij dhe në fakt, nuk di as për çka bisedojke ai. Është shumë normale që ka folë qasi far gjanash palidhje”, pati thënë Fadil Syleviqi.

Syleviqi tha se Mehmeti dha ato deklarata për të sulmuar policinë e cila e arrestoi.

“Bashkë me disa kolegë të mi edhe e kam dërgu në burg, normal, nuk pres që ai me më dërgu urime të përzemërta”, tha Syleviqi.

“Mirëpo, Batoni është dashur t’i bëjë atij më shumë pyetje, e jo të lihet me aq. Unë e kam arrestuar atë më 7 prill, e kam paraqitë në prokurori, e cila më pas e ka proceduar dhe është dënuar, është tregu fajësia e tij dhe për këtë, nuk pres që ai mua të më urojë me ndonjë gjë, pos të flasë gjëra të tilla për mua” ka shtuar ai.

Ndryshe, Shkumbin Mehmeti është i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasjen e policëve të UNMIK’ut në vitin 2004.