Më 17 dhjetor ’94 në Zvicër, LPK-ja vendosi për emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Propozimi për emrin, sipas Xhavit Halitit, erdhi nga ai dhe pati pajtueshmëri nga të gjithë. Ai po ashtu thotë se komunikatën e parë të UÇK-së e ka shkruar ai bashkë me Xhemajlin, Ahmetin e Sylën.
Kelmendi: Dhe kë e kishin atëkohë në Kosovë?
Xhaviti Haliti: Unë në Kosovë realisht nuk isha shumë i qartë se kush ka mbetur. Po them njerëzit në Kosovë nuk kam pasur pretendime t’i njoh vetëm figurat kryesore, nuk ka qenë punë e imja t’i njoh të tjerët.
Kelmendi: Po nga kryesorët kishte mbetur dikush?
Xhaviti Haliti: Azem Syla ka qenë njeriu kryesor i ngarkuar nga LPK-ja. Ai, në vitin 1994, më ka kërkuar që të vijë dhe t’i takojë ata që i kam takuar më vonë, por është interesante ajo komunikata e parë e UÇK-së, e cila ka përcaktuar edhe emrin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës.
Kelmendi: Kush e ka kryer sulmin? Kishim javën e kaluar në këtë studio Rexhep Selimin, i cili na dha detaje të hollësishme për këtë çështje.
Xhaviti Haliti: Nuk kam qenë unë që kam dhënë udhëzime për këtë çështje dhe nuk dua që të përmend emra se kush e ka kryer sulmin i pari e kush i dyti. Por ne në mbledhjen e kryesisë së LPK-së, të mbajtur më 17 dhjetor në Zvicër…
Kelmendi: Kush merrte pjesë në atë mbledhje?
Xhaviti Haliti: Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Gafurr Elshani, Adem Grabovci kanë qenë në mbledhje. Dhe ka pasur ide ose konfrontime që UÇK-ja të kontrollohet krejtësisht nga LPK-ja dhe shikuar profesionalisht në artin ushtarak, çdo ushtri që i shmanget kontrollit politik rebelohet dhe pastaj është problem të sistemohet. Megjithatë, arsyetimet ishin të mijat se duhet ta emërtojmë me emër të madh. Dhe mendoj që pas arsyetimeve që kam dhënë dhe propozimeve tjera, sepse ka pasur propozime se duhet të quhet njësit gueril me emër të ndonjë shoku të rënë…
Kelmendi : Rexhep Selimi e përmendi edhe Frontin për Çlirimin e Kosovës, Organizata për Çlirimin e Kosovës si propozime.
Xhaviti Haliti: Jo, nuk është e vërtetë, nuk ka pasur. Rexhepi nuk ka qenë në mbledhje kur është propozuar. Mund të kenë biseduar njerëzit, unë nuk po them, por organi politik, organizata politike që e ka emërtuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është LPK-ja dhe nuk është dikush tjetër.
Kelmendi: Pa konsultime as me njerëzit në terren?
Xhaviti Haliti: Rexhepi ka qenë anëtar i LPK-së, sa kam dijeni unë, edhe Hashim Thaçi po ashtu, edhe shumë të tjerë kanë qenë anëtarë të LPK-së.
Kelmendi: Por këta të dy nuk kanë dorë në emërtimin e UÇK-së?
Xhaviti Haliti: Hashimi mendoj që në kohën kur është emërtuar ka qenë në Vjenë, sepse atëherë ka dalë. Dhe është njoftuar ashtu siç është njoftuar edhe Azem Syla, sepse duke qenë Azem Syla afër nesh e duke mos qenë anëtar i kryesisë, sepse më vonë është zgjedhë, sepse pa i kaluar proceset e mbledhjes së përgjithshme ne nuk kemi inkorporuar njerëz në organe. Më vonë, në mbledhjen e përgjithshme të radhës, është bërë anëtar i kryesisë së LPK-së.
Kelmendi: Te emri…
Xhaviti Haliti: Ranë dakord të gjithë anëtaret e kryesisë.
Kelmendi: Pra propozimi rrodhi nga ju?
Xhaviti Haliti: Dhe kemi shkuar te Azemi në vendin kur rrinte në Zvicër… U kryen disa aksione radhazi, ato mbeten si enigma, dikush i quante veprime të Serbisë, dikush i quante veprime të Arkanit, dikush i quante provokime të këtij apo atij. Koha ishte që ne të fillojmë ta marrim përsipër këtë çështje. Dikush duhej të fliste se kush po vepron, a po veprojnë shqiptarët apo serbët kundër serbëve dhe kjo duhej ndarë. Dhe, mbi të gjitha, unë mendoj se domosdoshmërisht duhej krijuar bindja që mund të bëhet diçka në Kosovë dhe të mos e dijë Serbia se kush po e bën dhe kush janë njerëzit që po e bëjnë. Ishte krijuar njëfarë bindje se edhe nëse e shkruan një shkronjë në gur Serbia po e merr vesh. Janë këta djem të cilët e filluan dhe e përfunduan realisht, dhe një pjesë të tyre nuk mundi Serbia t’i kapë kurrë.
Kelmendi: Dhe kur vendoset për emrin, si ecët tutje?
Xhaviti Haliti: Unë po them pa u pajtuar edhe Azemi edhe shokët tjerë, duke përfshirë këtu edhe Hashimin dhe të tjerët, nuk e kishim bërë ne atë punë. Ka pasur një pajtueshmëri, asnjë njeri nuk ka qenë kundër pas mbledhjes.
Kelmendi: Por nuk u pyeten ata që janë në Kosovë a pajtohen me emrin?
Xhaviti Haliti: Po nuk kishte kohë që të pyeteshin ata në Kosovë. Problemi është se me status të LPK-së, gjithmonë dobësimi ose rënia e njerëzve në Kosovë, kur janë bërë arrestimet, kompetencat e udhëheqjes se LPK-së i ka marrë kryesia e degës jashtë vendit. Dhe kjo ka pasur kompetenca absolute për të vepruar dhe vendosur për gjithçka që ka qenë e lidhur me organizatën.
Kelmendi: As Adem Jashari nuk kishte njohuri për emrin?
Xhaviti Haliti: Ndoshta ka biseduar dikush tjetër. Unë personalisht nuk kam biseduar.
Kelmendi: As ju dhe as kryesia nuk keni biseduar me te?
Xhaviti Haliti: Nëse ka biseduar Hashimi ose Azemi unë nuk di gjë.







