Kush është veterani që Biden po e vendos në krye të CIA-s dhe cila është lidhja e tij me Kosovën

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vendosur që drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane të jetë William Burns. Duke qenë veteran i diplomacisë amerikane, ai e njeh mirë edhe Kosovën, për të cilën ka shprehur mbështetje në çdo rast që i është dhënë.

Burns, i cili njihet edhe si Bill, kishte shërbyer si Zëvendës Sekretar i Shtetit në kohën e administratës Obama, pasi kishte punuar për më shumë se tri dekada në pozicione të ndryshme në shërbimin e jashtëm amerikan, të cilit iu bashkua më 1982.

Në shkurt të vitit 2012, Presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, e kishte pritur në takim Zëvendës Sekretarin e Shtetit, William Burns, i cili e kishte vizituar Kosovën i shoqëruar nga Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Philip Reeker dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell.

“Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, zotëri Burns, tha se SHBA-ja i jep mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj. Ai tha se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike. Zotëri Burns tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin për media të lëshuar atë kohë pas takimit.

Atifete Jahjaga dhe William Burns, Kosovë, 2012

Po atë ditë, Burns ishte takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, të cilit po ashtu ia kishte shprehur mbështetjen për Kosovën.

Hashim Thaçi dhe William Burns, Kosovë, 2012

Gjatë atij viti, në një takim me atëherë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi në shtator të vitit 2012, Burns kishte theksuar se SHBA-ja do të jetë gjithmonë vend mik i Kosovës dhe do ta mbështesë vazhdimisht atë.

“Zëvendës Sekretari Burns theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të vazhdojnë të jenë mike e Kosovës si dhe do të ofrojnë mbështetjen e vazhdueshme ndaj zhvillimit të mëtutjeshëm të Kosovës”, thuhej në njoftimin për media, të cilin Zyra e Kryeministrit e kishte lëshuar pas vizitës së atëhershme të Thaçit në SHBA.

Ai ishte shprehur vazhdimisht edhe pro dialogut Kosovë-Serbi, duke e këshilluar këtë të fundit ta ndjekë rrugën evropiane, në vend se ta zhvendos këtë angazhim drejt Rusisë.

Burns e njeh jasahtëzakonisht mirë politikën e jashtme dhe relacionet politike të shtetit të tij, ku ka shërbyer nën pesë presidentë amerikanë, si demokratë, ashtu edhe republikanë, dhe 10 sekretarë të shtetit në një larmi postesh, duke përfshirë atë të ambasadorit në Jordan në administratën e Clintonit dhe në Rusi nën administratën e George W. Bush.

Vazhdimisht, ai ka folur gjerësisht për dëmet që ai beson se administrata Trump ia ka shkaktuar politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Burns ka paralajmëruar për pasojat e rrezikshme të Presidentit Donald Trump që ende nuk po mund të pajtohet me humbjen në zgjedhje.

Burns e kishte parashikuar sjelljen e Trumpit në rast se ai do t’i humbte zgjedhjet, siç edhe ndodhi. Ai kishte thënë se në rastin më të mirë, Trump do të përpiqej ta racionalizonte humbjen dhe t’i përshkruante zgjedhjet si të manipuluara.

“Në rastin më të keq, ai do të kërkojë ose minoni rezultatin”, kishte parashikuar Burns. Po kështu edhe ndodhi, pasi Trump ligjërisht dhe edhe fizikisht, u mundua që ta ndryshojë rezultatin zgjedhor.

Burns gjithashtu ka një histori të gjatë në qendër të negociatave për paqen në Lindjen e Mesme dhe ka punuar ngushtë në administratën e Obamës mbi marrëveshjen bërthamore të Iranit. Ai ka përvojë të kufizuar me Kinën, por ka një portofol të gjerë pune në rajone kyçe përreth globit.

Derisa të gjithë të nominuarit e Biden përballen me një rrugë më të lehtë për konfirmim në një Senat të kontrolluar nga Demokratët, roli i Burns në hetimin e Bengazit mund të rishikohet gjithashtu. Ai dëshmoi në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2012 pasi Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Hillary Clinton nuk ishte në gjendje ta bënte për shkak të tronditjes.

Vendimi për ta zgjedhur Burns për të udhëhequr CIA-n vjen pasi pretendentë të tjerë të lartë u përballën me kritika për mbështetjen e tyre të mëparshme të programeve të torturës. Ish-drejtori i përkohshëm i CIA-s, Michael Morell, i cili ishte në shqyrtim nga Biden, u sulmua si i papranueshëm nga demokratët e lartë në Komitetin e Inteligjencës së Senatit.

Burns, i cili respektohet nga demokratët dhe republikanët në arenën e politikës së jashtme, pritet të marrë konfirmim shumë më të lehtë.

Ndërkohë Biden, vijon ta kompletojë ekipin e tij. Për Burns, ai tha se amerikanët do të flenë më qetë me të në krye të inteligjencës amerikane.

“Populli amerikan do ta bëjë gjumin e qetë me të si drejtorin e ardhshëm të CIA-s”, tha Biden në një deklaratë.

64-vjeçari do të bëhet lideri i parë i CIA-s në histori, eksperienca e të cilit vjen kryesisht nga Departamenti i Shtetit. Me këtë zgjedhje, Biden tenton që të rikthejë besimin tek Agjencia Qëndrore e Inteligjencës pasi pretendon se ky institucion është dëmtuar gjatë kohës së Trumpit.